Kosova pritet të pranohet në UEFA në kongresin e kësaj të fundit që zhvillohet më 3 maj në Budapest, e kjo do t’i hapte rrugën asaj të anëtarësohej në FIFA e të marrë pjesë në kualifikueset e Botërorit 2018 në Rusi.
Ky është një lajm i mirë për shqiptarët dhe për SuperSport e thotë diçka të tillë trajneri i përfaqësueses së Kosëovës Albert Bunjaki:“Së pari mendoj se pranimi i FFK në UEFA dhe FIFA dhe Përfaqësueses Kosovare në kualifikime duhet të jetë një lajm pozitiv për gjithë shqiptarët. Në këtë moment prioritet është pranimi i plotë pastaj do të shohim të gjitha proceset, të drejtat dhe mundësitë e lojtarëve”.
Për Bunjakin, do të jenë vetë lojtarët më pas se kë do duan të përfaqësojnë:“Personalisht mendoj se është e drejtë individuale e lojtarëve të vendosin për fatin e tyre dhe këtë nuk ka të drejtë t’ua heqë asnjë Federatë. Në aspektin sportiv jam i përqëndruar të ndërtoj një skuadër sa më të mirë dhe objektivi është që pas 4 vitesh të jemi në kualifikueset e Europianit. Është një proçes, i cili mund të jetë i dhimbshëm për disa, mirëpo mendoj se është e drejtë njerëzore që lojtarët të vendosin për fatin e tyre”.
Bunjaki ka në plane edhe Mehën: “Nuk ka dyshim që Albani ka qenë në planet e mia edhe më herët, para se të vinte në Kombëtaren e Shqipërisë, mirëpo në kohën kur ka qenë pjesë e Kombëtares Shqiptare ku akoma është, Shqipëria ka qenë prioritet pasi ka pasur kualifikimet dhe ka pasur përparësi. Në këtë moment që Kosova i afrohet kualifikimeve ne pretendojmë të krijojmë një skuadër të fortë, dhe lojtarët që do të dëshirojnë të vijnë do të jenë të mirëseradhur. Albani është një lojtar që e njoh mjaft mirë dhe jo rastësisht është duke pasur sukses në Turqi dhe normalisht do të ishte i mirsëeardhur nëse shpreh dëshirë dhe ka të drejtë të vijë, pse jo”, shprehet Bunjaki që uron Kombëtaren shqiptare për një përfaqësim sa më dinjitoz në “Francë 2016”. (Sportal)