Arjan Hoxha është emëruar në krye të Drejtorisë së Burgjeve sipas marrëveshjes që Rama firmosi me Bashën. Mësohet se Hoxha ka mbajtur postin e kreut të Antikrimit Ekonomik në Tiranë në vitin 2013.
Aktualisht ai punon si avokat por tanimë do të jetë në krye të insititucionit të rëndësishëm të burgjeve. Emri i Arjan Hoxhës është jo pak i lakuar në media. Ish-shefi i antikrimit, në kohën kur mbante këtë detyrë ka ndaluar babain e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Gjithashtu Hoxha është përfshirë në akuza të forta edhe me ish-drejtorin e policisë Artan Didi i cili e akuzoi për falsifikim diplome.
“Kam qenë shefi i Antikrimit Financiar. Në një nga aksionet u ndalua Bashkim Tahiri. Saimir Tahiri më tha lutu që të mos marr pushtetin. Efektivët që morën pjesë në atë aksion, u liruan. Disa efektivë të tjerë u lëvizën nga detyra. Disa nga kolegët i janë drejtuar Gjykatës”, u shpreh Hoxha. Asokohe duke e lidhur shkarkimin e tij me operacionin e ndalimit të babait të Tahirit.
Kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar Taulant Balla deklaroi në mbledhjen e datës 9.04.2014 se diploma rezulton e falsifikuar por Hoxha mohoi të kishte falsifikuar diplomën e Akademisë.