Arrestimet e EULEX në zyrat e OVL të UÇK në Kosovë, reagon presidenti Thaçi: S’ka nevojë për aksione spektakolare

Publikuar tek: rajon, më 19:19 25-09-2020 Arrestimet e EULEX në zyrat e OVL të UÇK në Kosovë, reagon presidenti Thaçi: S’ka nevojë për aksione spektakolare Hashim Thaci

Pas bastisjes që EULEX i bëri zyrave të UÇK-së dhe arrestimit të disa veteranëve të luftës, ka ardhur edhe reagimi i presidentit Hashim Thaçi.

Thaçi ka dalë kundër këtij operacioni të EULEX, teksa ka deklaruar se nuk kishte nevojë nga ana e EULEs për të bërë këto aksione spektakolare.

Ai thotë se UÇK ka qenë lëvizje vullnetare dhe e rezistencës për liri e pavarësi të Kosovës, ndërsa veteranët janë vlera më sublime e saj

Deklaratë për media e Presidentit të Republikës së Kosovës

Qytetarët e Kosovës dhe tërë bota presin që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve monstruoze, siç janë insinuatat për “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” apo për “Shtëpinë e verdhë”, në emër të të cilave ne ishim të detyruar që t’i themelojmë Dhomat e Specializuara.

Siç tregon historia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri e pavarësi në Kosovë dhe si e tillë është njohur nga bashkësia ndërkombëtare.

Ishte edhe shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë.

E theksoj se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë. Publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm.

Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë.

Është e qartë se kërkohet bashkëpunim i ndërsjellë, në perputhje me legjislacionin me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara. Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve.

Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet.

E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës janë përballur me gjenocid dhe spastrim etnik.

Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e të vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.

Ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe përkushtim i institucioneve të shtetit të Kosovës.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.010105133056641
array(1) { ["section"]=> string(118) "arrestimet-e-eulex-ne-zyrat-e-ovl-te-uck-ne-kosove-reagon-presidenti-thaci-s-ka-nevoje-per-aksione-spektakolare-221669" }