Qeveria e Kosovës, nuk do të ketë më mbështetjen e Listës Serbe, dhe menjëherë pas këtij vendimi të marrë po mbahet në Kosovë mbledhja e Këshillit të Sigurisë.
Pas aludimeve se qeveria e Haradinajt do të rrëzohet pas shkëputjes së këtij bashkëpunimi, kryeministri i Kosovës në një deklaratë për mediat i mohoi të gjitha akuzat. I pyetur nëse do të japë dorëheqjen, Haradinaj u shpreh: Nuk kam plan të dorëhiqem, pasi u zbatua ligji. Dorëheqjen nuk e kam në plan me dhënë. Ata që shprehin partneritet janë të mirëpritur. Ata që hyjnë dhe dalin nuk kam ndonjë mendim për ta.
Sakaq, në lidhje me arrestimin e zyrtarit serb Gjuriç ditën e djeshme, Haradinaj tha se ishte një urdhër i ministrisë së Jashtme dhe sqaroi se nuk ishte çështje demonstrimi force por zbatim ligji.
Gjithashtu kryeminstri i Kosovës, i bëri thirrje Listës Serbe për reflektim, pasi sipas tij shkëputja e bashkëpunimit nuk është zgjidhje. Marko Gjuriç u arrestua dje rreth 17:00 në Mitrovicë, ku po mbante një fjalim në kuadër të dialogut të brendshëm të Serbisë për Kosovën.
Njësia Speciale e Kosovës, e arrestoi Gjuriçin pasi institucionet e Kosovës i kishin refuzuar kërkesën për të hyrë në Kosovë. Pas kësaj, Gjuriç kishte thënë se ai do të jetë në Kosovë dhe “nëse munden le të më ndalin shqiptarët”.