Alfrida Marku, nënkryetarja e Bashkisë Lezhë ka reaguar ashpër pas arrestimit të kryebashkiakut të këtij qyteti, Fran Frrokaj dhe 22 zyrtarëve të tjerë të përfshirë në skandalin e tjetërsimit të tokave në bregdetin e Shëngjinit.
Në një deklaratë për media, Marku thotë se "Rama dhe kriminelët që e duan Lezhën pa kundërshtarë" do të marrin përgjigjen sa herë që të përballen me të.
“Politikisht, kryeministri kriminel, kriminelët e tij në Lezhë dhe kriminelët që e duan Lezhën pa kundërshtar, do ta marrin përgjigjen sa herë të përballen në Lezhë dhe me qytetarët e saj të ndershëm.
Ndryshe nga mandati i parë ku Rama i bënte presion prokurorisë dhe gjykatave duke i marrë dhe personalisht në telefon për të mos hetuar zyrtarët e partisë së tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin, duke qenë kështu imunë për paprekshmërinë e tyre, tani me futjen në dorë të organit të akuzës kryeministri i kokainës, jo vetëm ka garantuar paprekshmërinë e të tijëve në pushtet vendor dhe qëndror, por ka nisur gjuetinë e shtrigave, presionin, dhunën e hakmarrjen politike ndaj zyrtarëve të Partisë Demokratike.
Dhunimi i lirisë së Kryetarit dhe zëvendës kryetarit të Bashkisë Lezhë, dhe ndaj institucionit, si hakmarrje e presion politik dhe duke instrumentalizuar e dhunuar autoritetin e organeve të drejtësisë është skandaloze dhe e pajustifikueshme. Dëshmon se Shqipëria është në ekstremin e paligjshmërisë, dhunës për arsye politike dhe kriminalitetit të strukturuar, ideuar dhe mbrojtur nga Rama dhe të tijtë. Asnjë presion qeveritar, asnjë luftë politike nuk zbeh apo deformon autoritetin e asnjërit” thuhet në reagim.