Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në një mbledhje urgjente ka firmosur kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e gjyqtarit të Sarandës Rasim Doda.Gjyqtari Doda akuzohet për korrupsion pasiv. Gjatë një hetimi të kryer nga Prokuroria e Krimve të Rënda dyshohet se Doda ka marrë para për një vendim, të dhënë nga ana e tij.
Pak orë pas lëshimit të urdhërit është bërë edhe arrestimi i gjyqtarit, i cili do të përgjigjet për akuzat.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se shtetasi Rasim Doda, në një çështje civile, ka kontaktuar me njërën prej palëve një ditë para dhënies së një vendimi civil që po e gjykonte ai dhe, në këmbim të vendimit në favor të kësaj pale, dyshohet se i ka kërkuar një shumë të konsiderueshme parash. Madje, për ta bërë më të besueshëm faktin se vendimi do të ishte në favor të kësaj pale, gjyqtari, një ditë para seancës përfundimtare, i ka vënë në dispozicion palës dispozitivin e vendimit, i cili do të ishte në favor të tij.
Pala e kontaktuar nga gjyqtari ka deklaruar se nuk mund të paguante shumën që i kërkohej. Pas këtij diskutimi, gjyqtari dhe personi që përfaqësonte njërën palë janë ndarë, pasi diskutimi ishte bërë gjatë një takimi rastësor në mbrëmjen e së dielës,
Të nesërmen, ditën e vendimit, gjyqtari Rasim Doda ka shpallur vendimin, duke i dhënë të drejtë palës tjetër, pra jo personit të kontaktuar një ditë më parë.
Për të provuar pretendimet e kallëzuesit, pra personi që nuk kishte pranuar të jepte shumën e kërkuar, Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ekspertimin e kompjuterit të gjyqtarit Rasim Doda. Sipas aktit të ekspertimit teknik-kompiuterik është konkluduar se : Në njësinë kompiuterike të sekuestruar gjyqtarit Rasim Doda, nga të dhënat e fshira, u rikuperua një dokument i tipit Microsoft Word, ku pjesa e fundit e tij është identike me dokumentin objekt ekspertimi.
Në këto kushte, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se gjyqtari ka konsumuar elementët e veprës penale « Korrupsioni pasiv i gjyqtarit…. » dhe ka nxjerrë urdhërin e ndalimit.