Emma Coronel Aispuro, gruaja e bosit më të njohur të kartelit të drogës në Meksikë, Joaquín "El Chapo" Guzmán, është arrestuar në Virxhinia për akuzat e trafikut të drogës.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën, departamenti amerikan i drejtësisë tha se Coronel, një shtetase e SHBA dhe Meksikës, u arrestua në aeroportin ndërkombëtar Dulles dhe sot do të përballet për herë të parë me gjykatën federale.
Sipas gjykatës, Coronel akuzohet për komplot në shpërndarjen e kokainës, metamfetaminës, heroinës dhe marihuanës, për import në SH.B.A.
Ajo është akuzuar gjithashtu për komplot për të ndihmuar në planin e arratisjes spektakolare të Guzman, përmes një tuneli kilometra të gjatë nga burgu i sigurisë së lartë Altiplano në Meksikë në korrik 2015.
Dokumentet e gjykatës pretendojnë se Coronel ka punuar me djemtë e Guzmanit për të organizuar komplotin e arratisjes, i cili përfshinte blerjen e një toke afër burgut, armëve të zjarrit dhe një kamioni të blinduar për arratisjen e bosit të kartelit të drogës.
“Pasi Guzmán u arrestua përsëri në Meksikë në janar 2016, Coronel Aispuro pretendohet të jetë përfshirë në planifikimin e një arratisje tjetër burgu, me të tjerë, para ekstradimit të Guzman në SH.B.A. në janar 2017”, thuhej në deklaratën e departamentit amerikan të drejtësisë.