Arrihet marrëveshja pozitë-opozitë për Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi. Donald Lu, ambasadori amerikan në Tiranë dhe Romana Vlahutin ambasadore e BE-së, kanë qenë sot në Kuvend për të kryer negociatat që kanë përfunduar me pjesëmarrjen e opozitës në këtë komision me numër të barabartë anëtarësh dhe ku vota e kryetarit do të ketë rol më të madh, në raste të caktuara ku do kërkohet votimi.
Komisioni do të ketë 10 anëtarë, 5 nga maxhoranca dhe 5 nga opozita.
“Kemi patur një takim me Z.Halimi sot dhe kemi rënë dakord që komisioni I posaçëm për reformën në drejtësi të përbëhet nga 10 anëtarë dhe kryetari. Besoj se është shumë positive që dhe opozita bëhet pjesë e këtij komisioni që ka në focus një nga reformat më të rëndësishme të vendit’’, tha Fatmir Xhafa.
Kurse Eduard Halimi falenderoi ndërkombëtarët që sipas tij ‘’bënë të mundur arritjen e kësaj marrëveshje’’.
“Doja të falenderoja partnerët ndërkombëtarë që bënë të mundur arritjen e një marrëveshje të tillë. U ra dakord që do jetë paritar dhe përjashtimisht kryetari do ketë një votë, duble-vote.Ne u dakordësuam për të vijuar më tej se është reformë shumë e rëndësishme”, tha Halimi.