ARTIST PAZOTI DHE MAKINA E TË VËRTETËS

Publikuar tek: pa-stres, më 09:56 24-04-2019 ARTIST PAZOTI DHE MAKINA E TË VËRTETËS

NGA EDI OGA ekzkluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i këtij materiali

 

Interesi për konferencën e parë për shtyp të themeluesit të partisë së re, ishte dhjetë-fish më i madh se zakonisht, sepse për herë të parë në një event të tillë  në Albananistan, do të përdorej publikisht poligrafi, makina e të vërtetës!

Salla ishte mbushur plot e përplot me gazetarë të varur, ambasadorë, spiunë dhe sabotatorë. Një teknicien i huaj, vendosi disa elektroda në gjoksin e themeluesit, fijet e të cilave përfundonin në një laptop. Ky i fundit ishte i lidhur me një llampë, e cila bëhej e kuqe, në rast se ai që fliste, gënjente! Nëse thoshte të vërtetën, mbetej e gjelbër.

-Le të bëjmë një provë kolaudimi, tha teknicieni, pyetjen e parë po e bëj unë. Zoti Pazoti, sa është ora?

-Keni ngatërruar person! Tjetërkush është ai që gënjen për orën! Ai nuk ka shanse t'i nënshtrohet poligrafit, si unë sot. E mbani mend si sajonte dhimbje koke që të mos dëshmonte në prokurori!

-Zoti Pazoti, unë ju pyeta thjesht për orën!

-Është ora që bëri bashkë në një parti njerëz që e duan këtë vend, njerëz me të kaluar të pastër dhe të papërlyer...

Llampa  u bë e kuqe. Në sallë pati ilaritet.

-Jemi në rregull, tha teknicieni, mund të vazhdoni me pyetjet.

Nga rreshti i parë u ngrit një gazetare simpatike.

-A është e vërtetë që zonja Dajhari nuk u përfshi në parti sepse donte të ishte ajo kryetare?

-Po, është e vërtetë.

Llampa mbeti jeshile. Në sallë pati duartrokitje! I kënaqur me veten, folësi vazhdoi:

-A e shikoni pra, që siç nuk ka ndodhur kurrë në politikën shqiptare, ka lindur një parti nga njerëz me integritet që nuk gënjejnë kurrë?!

Llampa  u bë e kuqe. Në sallë plasi gazi. Teknicieni e ftoi folësin të përqendrohej vetëm tek pyetjet e gazetarëve.

Nga rreshti i fundit u ngrit një gazetar josimpatik.

-Zoti Pazoti, A ka gisht kryeministri në formimin e partisë suaj?

-Jo, nuk ka gisht!

Llampa u bë e kuqe. Në sallë plasi përsëri gazi. Folësi i shqetësuar vazhdoi:

-Nuk gënjej kur them se nuk ka gisht, sepse ka dorë.

Llampa mbeti e kuqe.

-Nuk ka një dorë, ka dy duar.

Llampa vazhdoi të mbesë e kuqe.

-Ok, ka gisht, ka duar, ka edhe kokë. Ideja dhe suporti për partinë tonë, janë të tij!

Të gjithë prisnin që llampa të bëhej jeshile, por ajo u fik fare.

Në sallë ikën dritat. Opinioni u nda më dysh. Disa thonin që dritat i hoqi qeveria, disa thonin se i sabotoi opozita. Filloi një si luftë e vogël civile dhe pak imbecile.

Konferenca u ndërpre dhe u shty për një kohë të pacaktuar.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « KUSH IA HËNGRI JETËN KOSTANDINIT!
»
Article Logic
Execution time: 0.0068929195404053
array(1) { ["section"]=> string(45) "artist-pazoti-dhe-makina-e-te-vertetes-161643" }