Detaje të reja bëhen me dije nga atentati që ndodhi pasditen e sotme në qytetin e Elbasanit. Grupi hetimor ka kqyrur kamerat e sigurisë rreth vendit ku ndodhi vrasja e 39-vjeçarit Emiljano Ramazani, i njohur ndryshe si "Rrahmani".
Nga vëzhgimi i kamerave është fiksuar momenti i atentatit dhe është parë në makinën tip Volsëagen kanë qenë dy persona, një prej tyre me maskë. Ky ka qenë dhe personi që ka shtënë mbi Ramazanin. I gjithë atentati nuk zgjati më shumë se tre minuta, bëjnë me dije burime për mediat.
Atentatori e ka qëlluar Emiljanon me 5 plumba teksa ai ishte brenda makinës Ford Fokus, pranë pallatit ku banonte. Një vrasje e paramenduar dhe e mirëorganizuar, e cila mendohet të jetë bërë për prishje pazari në fushën e narkotikëve (kokainë).
Pas vrasjes, ai ka hipur në makinën që e priste dhe është larguar me të shpejtë drejt Bradasheshit, ku në fshatin Vidhas kanë djegur makinën. Automjeti rezultoi se ishte me targa të mbivendosura, të raportuara si të vjedhura 10 ditë më parë.
Brenda tij u gjet një pistoletë dhe dy kallashnikovë. Në ndjekje të autorëve janë vënë forcat FNSH dhe RENEA, teksa në Elbasan ka mbërritur vetë drejtori i krimeve Tonin Vocaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Lexo edhe: Atentat në Elbasan, vritet trafikanti i drogës, autorët largohen dhe djegin makinën (DETAJE)
Lexo edhe: U kap me kokainë 3 vite më parë, kush është viktima e atentatit në Elbasan (EMRI)