Zbardhet dëshmia e Mario Meshinit, dy ditë pas arrestimit të tij nën akuzën se bashkëpunoi me autorët që ekzekutuan me 5 plumba Devi Kasmin pranë Pediatrisë në Tiranë më 28 janar.
Para inspektorëve, Meshini ka pranuar se ka qenë dëshmitar ocular i ekzekutimit të 41-vjeçarit nga dy persona me motorr, por ka refuzuar kategorikisht se është bashkëpunëtor në këtë ngjarje.
“Sapo zbriti viktima nga makina u qëllua pas shpine. Nuk ka pasur asnjë djalog mes vrasësit dhe viktimës. Në momentin që u qëllua Kasmi, unë ngrita duart lart dhe thashë se nuk kisha lidhje me të. “S’kam gjë me të”, u thashë. Dhe pastaj autori u largua me vrap drejt motorit”, ka sqaruar Mario.
Më tej, meshini ka dhënë detaje edhe mbi autorin e vrasjes.
“Vrasësi ka qenë mbi 180 cm i gjatë dhe me shumë mjekër. Ka pasur në kokë një kapuç të zi dhe të palosur te balli. Drejtuesin e motorit me të cilin u larguan autorët nuk e pashë”, tha ai, ndërsa ka shtuar se në gjendje të rënduar psikologjike është larguar me motorr drejt shtëpisë së tij.
Një ditë më parë avokati i Meshinit tha se me viktimën Mario kishte lënë takim, pasi më parë i kishte dërguar SMS që të takoheshin, pasi ishin miq dhe ishte frekuentues i palestrës që ishte në pronësi të Devi Kasmit.