Detaje të reja kanë dal nga atentati i mbrëmjes së djeshme në fshatin Përparim të Peqinit, ku mbeti i vrarë 23 vjeçari Andi Zylyfi dhe i plagosur Albert Uruçi.
Mësohet se Zylyfi është qëlluar me plumb në kokë teksa makina ka qenë në ecje.
Sakaq, policia ka identifikuar targën e makinës së autorëve dhe ka zbuluar se ata janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Kujtojmë që 23 vjeçari, viktimë e atentatit të sotëm, është kushëri i shtetasit të vrarë një vit më parë në rrethrrotullimin e Bradasheshit, Endrit Alibej (Dylgjeri).
Endrit Alibej dhe xhaxhai i tij Arben Dylgjeri u qëlluan me breshëri plumbash një vit më parë në rrethrrotullimin e Bradasheshit, ndërsa udhëtonin me një mjet tip Range Rover po në të njëjtën rrugë ku sot u vra i afërmi i tyre Andi Zylyfi. Në atë kohë, atentatorët u kujdesën që të mos linin pas persona të mbijetuar pasi bashkë me xhaxha e nip, mbeti i vdekur dhe një shtetas turk që udhëtonte me ta Erdal Durunay.
Sipas Policisë, ndaj makinës në të cilën udhëtonte 23 vjeçari Andi Zylyfi dhe shoku i tij Albert Uruçi, është qëlluar me breshëri plumbash nga një mjet tjetër në ecje, ndërsa mbeten të paqarta rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, raportohet se Andi Zylyfi është djali i policit të Burgut të Peqinit, Hysni Zylyfi, i cili po merret në pyetje për të zbuluar nëse atentati ndaj djalit të tij ka lidhje me detyrën në Burg.