Avokati i Popullit inspektim në burgun e Lezhës e Fierit: Të dënuarit janë dhunuar nga Forcat Speciale, u tërhoqën zvarrë nga qelitë (E PLOTË)

Publikuar tek: aktualitet, më 20:18 10-10-2019 Avokati i Popullit inspektim në burgun e Lezhës e Fierit: Të dënuarit janë dhunuar nga Forcat Speciale, u tërhoqën zvarrë nga qelitë (E PLOTË)

Avokati i Popullit ka kryer në datë 5 tetor të këtij viti një inspektim në burgun e Lezhës dhe atë të Fierit, pas publikimit të në disa media se të dunuarit që vunanin dënimin në këto IEVP ishin dhunuar në kundërshtim me ligjin.

Institucioni Avokatit të Popullit thotë se grupi i inspektimit pasi mori informacion të detajuar nga specialistët e informacionit, pasi takoi të dënuarit e përfshirë në konflikt dhe këqyri regjistrat përkatës dhe kamerat e sigurisë konstratoi se: Ngjarja ka ndodhur në dt. 02.10.2019, rreth orës 18:36, në godinën 2, kati i 3, dhe shkak është bërë ndryshimi i orarit të aktiviteteve të përbashkëta në regjimin e brendshëm në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve datë 23.10.2019 i cili i fillonte efektet juridike nga data 01.10.2019.

Të burgosurit nuk kanë pranuar ndryshimin e orarit pasi kishin lënë takime dhe telefonata me familjarët deri në orën 20:00 dhe nëse nuk do flisnin ata do bëheshin merak. Madje, të burgosurit thonë se për ndryshimin e orarit nuk janë informuar fare nga autoritetet e burgut.

“Në vijim janë sjellë forcat speciale të DPB-së të cilat në bashkëpunim me forcat e sigurisë të IEVP Lezhë, kanë ndërhyrë, sipas tyre, për vendosjen e rregullit dhe qetësimin e gjendjes. Sikurse u referua nga autoritetet e burgut, atë natë janë bërë raporte shërbimi dhe janë marrë masa disiplinore me veçim për 9 persona, janë transferuar 4 persona në IEVP Fier si dhe janë marrë masa disiplinore për tre persona të tjerë, të cilët masën disiplinore e kryejnë në dhomat e tyre të banimit”, thuhet më tej në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Raporti i plotë i Avokatit të Popullit:

AVOKATI I POPULLIT KONSTATON TEJKALIM TË PËRDORIMIT TË FORCËS NGA ANA E AUTORITETEVE MBI NJË GRUP TË DËNUARISH NË BURGUN E LEZHËS

Nisur nga sinjalizimet në media më datë 4 tetor 2019 për trazira në burgun e Shën Kollit në Lezhë, një grup pune i institucionit të Avokatit të Popullit, ditën e shtunë, më datë 5 tetor 2019 vizitoi IEVP Lezhë me qëllim marrjen e informacionit dhe kryerjen e verifikimeve lidhur me këtë ngjarje të raportuar.

Grupi i inspektimit pasi mori informacion të detajuar nga specialistët e informacionit, pasi takoi të dënuarit e përfshirë në konflikt dhe këqyri regjistrat përkatës dhe kamerat e sigurisë konstratoi se:

Ngjarja ka ndodhur në dt. 02.10.2019, rreth orës 18:36, në godinën 2, kati i 3, dhe shkak është bërë ndryshimi i orarit të aktiviteteve të përbashkëta në regjimin e brendshëm në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve datë 23.10.2019 i cili i fillonte efektet juridike nga data 01.10.2019.

Sipas dëshmive nga autoritetet e burgut, kjo praktikë ndodh çdo vit me ndryshimin e stinëve, ku parashikohet mbyllja e aktiviteteve të brendshme në orën 18:00, ndërkohë që gjatë verës aktivitetet mbyllen në orën 20:00. Ndërkohë, rezulton që të dënuarit nuk kanë pasur informacion në lidhje me këtë fakt dhe ka munguar informimi paraprak nga ana e drejtorisë së IEVP Lezhë. Ata kanë refuzuar zbatimin e urdhrit dhe kanë kërkuar që të merret leje nga ana e drejtorit të institucionit për kryerjen e telefonatave deri në ora 20:00, të cilat ata i kishin planifikuar paraprakisht me familjarët.

Sipas specialistit të informacionit, disa të dënuar jo vetëm që nuk kanë pranuar t'i binden urdhërit, por janë shprehur se do të mbanin peng një nga punojësit.
Në vijim janë sjellë forcat speciale të DPB-së të cilat në bashkëpunim me forcat e sigurisë të IEVP Lezhë, kanë ndërhyrë, sipas tyre, për vendosjen e rregullit dhe qetësimin e gjendjes. Sikurse u referua nga autoritetet e burgut, atë natë janë bërë raporte shërbimi dhe janë marrë masa disiplinore me veçim për 9 persona, janë transferuar 4 persona në IEVP Fier si dhe janë marrë masa disiplinore për tre persona të tjerë, të cilët masën disiplinore e kryejnë në dhomat e tyre të banimit.

Të dënuarit e pyetur nga ekspertët e Avokatit të Popullit referuan se kanë kërkuar nga oficeri i informacionit që të merrte leje nga Drejtori i Burgut për lejimin e këtyre aktiviteteve deri në orën 20:00, pasi nuk kishin marrë njoftim paraprak për ndryshim regjimi. Ata kishin planifikuar në marrëveshje me familjarët telefonata dhe moskryerja e këtyre telefonatave do shkaktonte shqetësim tek familjarët. Ata u shprehën se oficeri i informacionit kishte keqinformuar Drejtorin e Burgut lidhur me situatën, e ai më pas kishte lajmëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për gjendje të jashtëzakonshme, duke kërkuar ndërhyrjen e forcave speciale.

Ata pohuan se, që ndërhyrja për "qetësimin e gjendjes" kishte qenë e panevojshme, kjo konfirmohet nga fakti se ata kishin qëndruar në korridor duke pritur urdhrin e Drejtorit për hapjen e sinjalit telefonik, deri në ora 20:00 dhe pastaj ishin vendosur qetësisht në dhomat e tyre, ku policët e kolonës, si zakonisht, kanë mbyllur dyert sipas rutinës së perditshme.

Në orën 21:00, ata raportuan se janë dëgjuar zhurma, goditje të llamarinave të rrethimit të regjimit me sende të forta dhe njëkohësisht goditje të dyerve të qelive me shkopinj gome. Rrufeshëm janë hapur dyert e qelive dhe kanë hyrë brenda forca të shumta të DPB-së të pajisur me pranga, shkopinj gome dhe kapuçë të zinj.

Të burgosurit dëshmojnë se janë tërhequr zvarrë në mënyrë të padiferencuar, janë goditur me shqelma dhe shkopinj gome të dënuarit dhe nga dhomat e tyre janë nxjerrë në korridor për kontrolle fizike. E gjithë kjo shoqëruar dhe me dhunë psikologjike (britma, sharje dhe ofendime).

Gjatë takimeve me të dënuarit, ekspertët e Avokatit të Popullit, kanë evidentuar shenja të dukshme dhune vetëm për një person të dënuarin N. P., i cili kishte dëmtime dhe shenja dhune në trup, edhe pse atij nuk i ishte dhënë masë disiplinore dhe ndodhej në regjim në dhomën e tij.

N.P. u intervistua dhe bë këqyrja fizike nga ana e grupit të AP duke bërë edhe raport konstatimi mbi shenjat e dhunës në trupin e tij. Ai dëshmoi që është dhunuar fizikisht pa asnjë shkak dhe se nuk kishte kundërshtuar urdhrin e ndryshimit të regjimit por kishte qenë në dhomën e tij në intervalin 18:00 20:00.

Sipas deklaratave të personave të intervistuar, personat me dëmtime më të mëdha kanë qenë ata që janë transferuar në IEVP Fier. Institucioni i Avokatit të Popullit, vizitoi edhe personat e transferuar ne IEVP Fier, ata dhanë deklarime lidhur me ngjarjen duke deklaruar se ishin keqtrajtuar fizikisht nga ana e forcave speciale të DPB gjatë ndërhyrjes së tyre në sektorin e të dënuarve rreth orës 21.00 të datës 02.10.2019 në IEVP Lezhë.

Sipas deponimeve të tyre, në momentin e pranimit në IEVP Fier kishin pasur shenja trupore nga ushtrimi i forcës ndaj tyre të cilat ishin regjistruar në një proces-verbal nga komisioni i pritjes. Shenja të dukshme fizike paraqiste i dënuari Sh. D. i cili deklaroi se i ishin shkaktuar nga goditja me shkelma. Grupi hetimor administroi të gjitha dokumentacionet mjekësore dhe deklaratat e të dënuarve duke i depozituar në dosjen përkatese lidhur me këtë hetim.

Të dënuarit me masë disiplinore, të vendosur në ambientet e veçimit, natën e datës 2 tetor, janë vendosur në ambiente të papërshtatshme në rikonstruksion e sipër, pa kapakë dritaresh, me njolla boje gjithandej, pa rroba fjetjeje dhe pa banjo funksionale. Kanë kaluar natën e parë të shtrirë në një shtrat llamarine pa asnjë kusht material minimal. Rrobat e fjetjes u janë dhënë ditën e nesërme. E njëjta situatë e këtyre dhomave të veçimit është verifikuar edhe nga inspektorët e Avokatit të Popullit.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë konstatohet se të burgosurit kanë hyrë të tërë në dhomat e tyre rreth ores 20:18 min. Ndërkohë që ardhja e punonjësve të policisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në sektorin ku ka ndodhur ngjarja rreth orës 21.00, të cilët fillimisht godasin me shkelma dhe shkop gome dyert e dhomave ku qëndronin të dënuarit dhe më pas hapin disa prej tyre.

Për shkak të numrit të madh të punonjësve të policisë që ndodheshin në sektor, nuk kuptohen qartë të gjitha veprimet që kryhen me të dënuarit. Gjithsesi, evidentohet kryerja e veprimeve të vrullshme nga ana e punonjësve të policisë si dhe episode ku dallohet që të dënuarit nxirren forcërisht në koridor, e më pas goditen me shkop gome dhe shkelma dhe futen sërish në dhomë apo shoqërohen jashtë sektorit.

Në këtë fazë të hetimeve, janë duke u kryer një sërë veprimesh të tjera (kryerja e ekspertizave mjeko ligjore dhe administrimi i pamjeve filmike, marrja e dëshmive me procesverbal të oficerëve të policisë të grupit të sigurisë që ka hyrë në sektorin e të dënuarve në datë 2.10.2019) për të verifikuar perfundimisht pretendimet e secilës palë. Sigurisht që gjetjet paraprake janë serioze dhe hetimi do të jetë i plotë e do të arrijë në konkluzionet përkatëse në përputhje me ligjin.

Personazhi i vitit 2019

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.037946939468384
array(1) { ["section"]=> string(145) "avokati-i-popullit-inspektim-ne-burgun-e-lezhes-e-fierit-te-denuarit-jane-dhunuar-nga-forcat-speciale-u-terhoqen-zvarre-nga-qelite-e-plote-181572" }