Historia e Adnan Januzajt është duke u përsëritur me zyrtarët kosovarë. Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku ka thënë se nuk ka arritur të kontaktojë me Januzajn, pasi ai nuk u përgjigjet telefonatave.
Bunjaku ka theksuar se nëse Januzaj nuk e ndjen se duhet të luajë për Kosovën, atëherë është më mirë të mos e bëjë.
“Për mua Adnani është më mirë të mos vijë. Nëse nuk ka ndenja për Kosovën nuk ka nevojë që të vijë. Ne jemi munduar ta kontaktojmë, por nuk kemi arritur. Kontaktin e fundit me të jemi munduar ta bëjmë nëpërmjet klubit, por ka qenë e pamundur”, ka theksuar ai.
Situatë e njëjtë ndodhi edhe kur trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi tentoi të kontaktonte me lojtarin e Sunderland, por ai dhe babai i tij nuk i përgjigjeshin në telefon.