BARIU, UJKU, ÇAKALLI, DELET dhe... QENI!

Publikuar tek: pa-stres, më 10:40 18-05-2019 BARIU, UJKU, ÇAKALLI, DELET dhe... QENI!

Nga Edi OGA ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i këtij materiali

Delet kanë gjithmonë nevojë për një bari. Një bari që kujdeset për ta, i dërgon në kullotë, i lejon të ushqehen, të rriten e të shumohen. Delet kanë pranuar që bariu t'u marrë qumështin, leshin dhe herë pas here të therë e të hajë ndonjërën prej tyre. Ky është çmimi që delet duhet të paguajnë për të pasur një bari. Në të kundërt, delet do t'i shqyente ujku dhe çakalli. Bariu në punën e tij ndihmohet nga qeni i tij besnik, i cili bën gjithçka që i kërkon i zoti, pra bariu, si e si që në mbrëmje të lëpijë kockën që ai i hedh.

Megjithëse të gjitha krahasimet dhe alegoritë çalojnë, besoj ju e keni kuptuar që në këtë përshkrim fabulesk, delet janë populli, bariu (i momentit) është PS, ujku është PD, çakalli është LSI dhe qeni është... MEDIA.

Çfarë ndodh?

Ndodh që bariu "e dhjet muhabetin" dhe fillon i keqtrajton delet, i lë pa ushqim dhe u kërkon  më tepër qumësht e lesh, u prish kullotat dhe ndërton kasolle e shtëpira më të mëdha për vete, ther më tepër qingja të njomë sesa lindin dhe bën gostira çdo natë. Për të mbajtur larg ujkun dhe çakallin e uritur, u hedh edhe atyre nga një copë mish, pa harruar kockën e përhershme për qenin! Në këtë situatë, ujku, që dikur ka qenë vetë bari dhe i mungojnë gostirat me shumë mish, duke ndjerë zemërimin, vesh një gunë bariu, u qaset deleve dhe u shan atyre bariun. Në krah ka çakallin e shpifur. Me zë të ngjirur ai kërkon të bindë delet se bariu i tyre është egërsirë dhe se ai, vetëm ai, do të ishte bariu që do t'u duhej atyre, që ato të shtonin e të begatonin. Delet bëjnë zallamahi të madhe, nxjerrin përpara turmës deshët me brirë dhe e sakatojnë bariun. Ky largohet si i dhjerë dhe duku u zbythur bëhet bishë, duke u betuar se do të kthehet shpejt dhe do marrë hak.

Tashmë delet kanë një bari të ri, me një veshje të re. Kanë ujkun. Ai ka edhe një aleat të vetin, çakallin, që ditën e parë të punës transformohet në një chiuaua. Pa harruar edhe qenin, i cili menjëherë i premton besnikëri bariut të ri dhe fillon punën që di të bëjë.

Megjithëse delet e kanë nxjerrë vetë ato shprehje, "Ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron", "ujku ujku po çakalli bën kërdinë, shpresojnë se kësaj rradhe ujku dhe çakalli do të kenë ndryshuar. Ata muajt e parë duken të mirë, delet ushqehen, rriten, mbushen me lesh, por nuk zgjat shumë dhe historia përsëritet... pas disa vitesh bariu ish-ujk bëhet përsëri ujk, chiuaua bëhet çakall. Vetëm qeni besnik nuk ndryshon. Në këtë situatë, ish-bariu ujk shfaqet në horizont dhe nga e keqja, fillon e duket deleve përsëri, si një bari i mirë...

Dhe historia përsëritet.

Delet inatosen dhe rebelohen. Përzënë bariun-ujk dhe thërrasin ujkun-bari. Çakalli bëhet chiuaua dhe anasjelltas. Vetëm qeni besnik mbetet qen besnik. Dhe meqë besnikëria ka lidhje me besën, virtytin e njohur ndërkombëtarisht të deleve, qenin nuk e ngasin.

Po sikur qeni të jetë fajtori që historia përsëritet?

Si duhet të sillen delet me qenin?!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « TURP TË KESH!
»
Article Logic
Execution time: 0.015066862106323
array(1) { ["section"]=> string(40) "bariu-ujku-cakalli-delet-dhe-qeni-164743" }