Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë për Eriona Tropolinin dhe Pranvera Gjikën, të akuzuara se kanë bashkëpunuar me pronarin e Agon Channel, Francesco Beccheti në një skemë të madhe pastrami parash.
Gjykata ka dhënë masën arrest shtëpie për Eriona Tropolinin, administrator e “Cable System” dhe "Agon Channel" si dhe masën detyrim paraqitje për Pranvera Gjikën, drejtore e bankës së nivelit të dytë ku dyshohet se kryeshin transaksionet e shumave të mëdha të parave. Avokati mbrojtës Theodhori Sollaku ka thënë se Gjykata reflektoi për masat e dhëna. Ai tha se beteja do të vazhdojë pasi nuk ka akuza për para me origjinë kriminale.
Po kjo gjykatë ka firmosur masën arrest me burg për Francesco Becchettin, masë që nuk është ekzekutuar për shkak se Becchetti ndodhet jashtë shtetit.