Bashkia e Skraparit e padit për 'Shpërdorim detyre', Gjykata rrëzon kërkesën për hetimin e ish-prefektit

Publikuar tek: aktualitet, më 19:15 12-07-2019 Bashkia e Skraparit e padit për 'Shpërdorim detyre', Gjykata rrëzon kërkesën për hetimin e ish-prefektit Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu

Një muaj më parë Prokuroria e Rrethit të Beratit, vendosi të mos filloj procedim penal  ndaj ish-prefektit të Beratit, Harilla Dafa, i cili u padit nga Bashkia e Skraparit për “Shpërdorim detyre”.  Pas katër muaj hetimesh organi i akuzës, vendosi që ta pushoj çështjen, ndaj Dafës, pasi arriti në përfundimin se faktet dhe hetimet nuk çonin tek elementët e një vepre penale dhe vendosi mos fillimin e procedimit.

Atëhërë Bashkia e Skraparit, kundërshtoi vendimin për mos fillimin e procedimit penal dhe i kërkoi gjykatës të detyronte prokurorinë të niste hetimet.

“Kallëzimi ka të bëjë me dëmin që i është shkaktuar Bashkisë, punonjësve, por dhe gjithë komunitetit, për shkak të veprimeve apo mos veprimeve të të kallëzuarit”, bëhej e ditur në ankimimin drejtuar gjykatës nga kreu i bashkisë.

Por, në asnjë prej tre seancave që Gjykata e Rrethit të Beratit mbajti, kallëzuesi, kreu i bashkisë Nesim Spahiu dhe as ndonjë jurist i institucionit nuk është paraqitur.

Me një vendim 213, që mban datën 03.07.2019, gjyqtari i çështjes Durim Dura, vendosi rrëzimin e kërkesës së Bashkisë Skrapar.  Në vendimin e saj gjykata ka arsyetuar se kjo çështje hyn në juridiksionin penal dhe është në kompetencat e gjykatës, por nuk provohet se ish prefekti ka shpërdoruar detyrën me veprimet dhe mos veprimet e tij.

Në lidhje me kallzimin e bërë nga bashkia se ish-prefekti ka shkaktuar dëm ekonomik për punonjësit e administratës dhe banorët, gjykata është shprehur se ai nuk ka kryer veprimin penal për të cilin është kallëzuar.

“Kallëzuesit nuk i është shkaktuar dëm si rrjedhojë e veprimieve të prefektit, ato janë përgjegjësi e mos miratimit të buxhetit 2019. Nuk është cënuar objekti i kësaj vepre penale që është interesi  i kallzuesit. Kështu, gjykata vlerëson se prokurori me të drejtë ka vendosur mosfillimin e procedimit penal”, është shprehur gjykata.

Bashkia e Skraparit prej muajsh vepron me 1/12 e buxhetit të vitit të kaluar, pasi drejtuesi i bashkisë, Nesim Spahiu dhe administrata e drejtuar prej tij nuk ka pranuar të njoh buxhetin që u miratua në një mbledhje të thirrur nga ish-prefekti Dafa, prej shumicës socialiste që rrëzoi një sërë propozimesh të kryebashkiakut.

E ndërsa njohja apo jo e vendimeve të Këshillit Bashkiak, i kontrolluar në shumicë nga Partia Socialiste, po shqyrtohet në Gjykatën Administrative të Apelit, bashkia e Skraparit ka humbur betejën gjyqësore me ish-prefektin. Bashkia e Skraparit, nuk ka pranuar të shprehet në lidhje me vendimin e gjykatës.

Konfliktet për buxhetin në Skrapar filluan pas përplasjes mes PS edhe LSI të cilat ishin në kualicion në zgjedhjet lokale 2015, por u ndanë pasi PS fitoi e vetme zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ndihmuar nga një truk politik prej marrëveshjes Rama-Basha të majit 2017 që nuk lejoi krijimin e kualicioneve. /BIRN

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.14187216758728
array(1) { ["section"]=> string(108) "bashkia-e-skraparit-e-padit-per-shperdorim-detyre-gjykata-rrezon-kerkesen-per-hetimin-e-ish-prefektit-172010" }