Në një deklaratë për media Bashkia Tiranë akuzon kryeministrin Rama se po bllokon projektet e kësaj të fundit. Sipas Bashkisë punimet në lumin lanë janë përballuar me fondet e firmës së ndërtimit pasi me urdhër politik, ministri i financave ka bllokuar pagesat e fondit Abu Dabi për këtë projekt.
“Për fat të keq puna e kompanisë dhe ky projekt i Bashkisë së Tiranës, ashtu si edhe projekti i Bulevardit është lënë përgjysmë. Kjo sepse, ministri i Financave, zoti Cani, me urdhrin politik që ka marrë për të bllokuar Bashkinë e Tiranës në çdo mënyrë, ende nuk ka depozituar firmat pranë fondit AbuDabi, në mënyrë që të bëhet shlyerja dhe pagesa e punimeve. Firma përkatëse këtu, por edhe ajo kompani që punon tek Bulevardi i Tiranës, kanë lënë punën e tyre përgjysmë, duke lënë pa punë 2 mijë punëtorë ose ndryshe 2 mijë familje shqiptare”,- deklaroi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.
“I bëj thirrje prokurorisë që të përshpejtojë dhe të marrë një vendim të rëndësishëm përsa i përket kallëzimit penal për shpërdorim detyre që Bashkia e Tiranës ka bërë për zotin Cani dhe për sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave. Ligji duhet të vendoset në vend dhe zyrtarët që abuzojnë me pozicionin e tyre për të bllokuar projekte, në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të Tiranës, duhet të marrin përgjegjësinë e tyre sipas ligjit.” U shpreh zoti Bozdo.