Bashkim Trenova rrëfen takimin e parë me Berishën: Si më propozoi të bëhesha kryeredaktor i RD! Ia censuroja shkrimet Saliut...

Publikuar tek: aktualitet, më 17:01 05-01-2018 Bashkim Trenova rrëfen takimin e parë me Berishën: Si më propozoi të bëhesha kryeredaktor i RD! Ia censuroja shkrimet Saliut...

Bashkim Trenova, ish gazetar e kryeredaktor i gazetës Rilindja Demokratike, që sot shënon 27 vjetorin e lindjes, në librin e tij të kujtimeve “Heronjtë e Popullit”, shkruan për takimin e parë me Sali Berishën, sesi ky i fundit e propozoi për kryeredaktor të RD, dhe censurimi që i bënte shkrimeve që vetë Saliu dërgonte në vitet e para në redaksinë e gazetës së parë pluraliste në vend.

Bashkim Trenova, pas eksperiencës së tij si gazetar nga viti 1995 deri në 1997 ka shërbyer si ambassador në Belgjikë, vend në të cilin mbeti që prej asaj kohe pasi mori azil politik.

Nga Bashkim Trenova

Në zgjedhjet e marsit 1992 PD me kryetar Sali Berishën, fitoi bindshëm dhe erdhi në pushtet duke hedhur në opozitë ish-komunistët. Mjaft organe të shtypit të huaj e pasqyruan këtë fitore duke shkruajtur gjithashtu me superlative për kryetarin e PD, Sali Berishën.

Vetë ai solli në redaksinë e Rilindjes Demokratike për t’u botuar disa nga këto artikuj të përkthyer në shqip. Unë i mora dhe i përgatita për botim. I shkarkova nga ato që m'u dukën si lavde dhe hymne të tepruara. Arsyetimi im ishte i thjeshtë. Nëse kështu ishte vepruar për Enver Hoxhën diktator, aq më tepër duhej vepruar kështu për Sali Berishën, liderin e demokracisë. Siç duket, edhe këtë herë kisha gabuar. Sali Berisha, të nesërmen, kur lexoi të botuar materialet që kishte sjellë, pa epitetet që në një farë mënyre e hymnizonin atë, mori në telefon nga shtëpia e tij që ishte pranë redaksisë. Ai kërkoi llogari pse ishte vepruar kështu. U mundova të shpjegom. Ishte e kotë. Më në fund i thashë: Kështu kam menduar. Saliu kërkoi që të shkoja ta takoja në shtëpi. Atje ai përdori tjetër ton. Ai, madje, më propozoi që të bëhesha kryeredaktor i gazetës, pasi Mitro Cela, kryeredaktori i deriatëhershëm ishte zgjedhur deputet. Saliu e dinte se unë nuk doja të kisha përgjegjësi në gazetë apo gjetkë, nuk doja të mirresha me punë organizative apo të përgjigjesha për punën e të tjerëve, të atyre që do të kisha në varësi. Ai edhe më parë më kishte emëruar zv.kryeredaktor të RD dhe unë i kërkova të më lironte nga ky detyrim, të më linte si gazetar i lirë. Në kongresin e Parë të PD ai më propozoi si anëtar të Këshillit Kombëtar të PD, unë nuk pranova duke i thënë se nuk isha as anëtar i PD.  Me Saliun kemi qenë të dy në Parlamentin Evropian në Strasburg kur PD ishte në opozitë. Ishte i pari delegacion i opozitës demokratike në këtë Parlament. Në mbarim të vizitës Sali Berisha më ka propozuar vendin e shefit të marrëdhënieve me jashtë të PD. Nuk e pranova propozimin e tij duke i thënë se nuk e njoh anglishten dhe se njohja e kësaj gjuhe sipas meje, ishte domosdoshmëri për atë që do të ishte në këtë post. Më pas Berisha caktoi aty Alfred Serreqin. Me përmbysjen e komunizmit, Serreqi u bë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Edhe në zgjedhjet e vitit 1992 Berisha dërgoi dy anëtarë të kryesisë së PD, Safet Zhulalin dhe Blerim Celën që të më propozonin të kandidoja për deputet i PD në zonën e Dibrës, në verilindje të Shqipërisë.

Babai im ishte me origjinë nga Dibra. Fitorja e PD në këto zgjedhje ishte mëse e sigurtë. Me Safetin dhe Blerimin, sipas bisedës që bëmë në telefon, u takuam në kryqëzimin e rrugës së Dibrës me rrugën e Barrikadave, aty ku në atë kohë kishte një byrektore. Nuk e pranova as këtë propozim, që më përcollën këta dy anëtarë të kryesisë. Nuk e shihja veten si deputet. Këtë post e vlerësoja me shumë përgjegjësi, realizimi apo mosrealizimi i të cilave nuk do të varej vetëm nga unë.

Për Sali Berishën thonë se ka një kujtesë të fortë. Besoj se edhe ai, kur më propozoi të drejtoja RD, nuk i kishte harruar të gjitha sa tregova më sipër. “E di, tha Saliu, që ti nuk do, por merre për pak kohë”.

Mua propozimi I tij mu duk një gjest kalorsiak. Unë I kisha “zvogëluar” lavdinë dhe ai më propozonte ngritje në përgjegjësi. Në këto rrethana pranova të drejtoj gazetën për pak kohë. Vite më pas kam kuptuar se Sali Berisha u ofronte dhe u shpërndante poste njerëzve që e kritikonin. Ai e përdorte pushtetin për të korruptuar kundërshtarët, për t’u mbyllur atyre gojën. Unë nuk isha kundërshtar i tij. Ndoshta ai më pa si të tillë meqë unë i fshiva superlativat ashtu sic bëja edhe me Enver Hoxhën, gjithnjë pa qenë kundërshtar i tij. Sidoqoftë ai e mbajti fjalën. Një ditë, ndërsa ishte president i vendit më therret në Presidencë dhe më thotë se nuk kishtë harruar se unë isha si kryeredaktor “për pak kohë…”

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ambasada e SHBA: Heqja e mandatit të Rakipit dhe Rehovicës, pozitive për dekriminalizimin
Hapi dyqanin për shitjen e kokainës në Itali, arrestohet shqiptari »
Article Logic
Execution time: 0.023521900177002
array(1) { ["section"]=> string(129) "bashkim-trenova-rrefen-takimin-e-pare-me-berishen-si-me-propozoi-te-behesha-kryeredaktor-i-rd-ia-censuroja-shkrimet-saliut-105542" }