‘Bëhuni burra ndonjëherë se s’bëhet kiameti, përballuni me ministreshën’, del LETRA E PLOTË e drejtoreshës që tronditi rrjetin (ÇFARË S'KENI LEXUAR)

Publikuar tek: aktualitet, më 13:14 13-12-2019 ‘Bëhuni burra ndonjëherë se s’bëhet kiameti, përballuni me ministreshën’, del LETRA E PLOTË e drejtoreshës që tronditi rrjetin (ÇFARË S'KENI LEXUAR) Rama-Gjonaj

Publikohet e plotë letra e Katrin Treskës, drejtoreshës në ministrinë e Drejtësisë, që dje dha dorëheqjen dhe ‘tronditi’ rrjetin me e-mailin dërguar kolegëve, eprores së saj, si dhe kryeministrit Edi Rama.

Në letrën e plotë, të zbardhur si më poshtë, Treska u thotë kolegëve ‘të bëhen ndonjëherë burra’ e të përballen me ‘ministreshën’, siç e cilëson ajo ironikisht.

‘Këshilla ime për ju, është që ndonjëherë mund edhe t`i thoni Stop, sokëllimave të përçarta të Etildës. Kjo vlen edhe për ty Sekretar. Bëhu burrë ndonjëherë se, nuk bëhet kiameti, dhe as prishet prokurimi’, shkruan në letër Treska ndërsa më poshtë i thotë hapur Etilda Gjonajt se askush s’pranon të punojë për të.

LETRA E PLOTË:

Mirëmëngjes të gjithëve… kolegë të Ministrisë së Drejtësisë, Kryeministrisë, Kuvendit, Euralius V, noterë, ndërmjetës dhe përmbarues!

Mirëmëngjes Etilda!

Mirëmëngjes z. Kryeministër!

Mos u habisni me këtë shkrim dhe, as për këto përshendetje. Thjesht buzëqeshni dhe lexoni pa u munduar. Do jete e-maili më i lehtë në ditën tuaj të ngarkuar me punë, plot.

Dje, pasdreke u lirova nga pozicioni i rregullt i anëtarit të TND-së, si Drejtor i Përgjithshëm Rregullator i Çështjeve të Drejtësisë. Teknikisht përshkruhet kështu. Praktikisht, jam “pa punë”, në pritje të projekteve të reja, që këto kohë shumë herë më janë ofruar dhe me kokëfortësi i kam refuzuar për të vijuar me kontributin tim në Ministrinë që aq shumë e kam përzemër. Që dje lajmi u përhap dhe të njohur që s’janë të zanatit tonë, dhe nuk njohin vështirësitë e punës sonë, nisën të komentonin: “Të hoqën?! E hoqën..! Diç’ - Çoç’ duhet të ketë bërë vajza...kot s’te heq njeri”.

Por nuk dua të lodh ata dhe as t’ju lodh juve për t’iu treguar arsyet që shpjegojne apo përligjin vullnetin tim apo urdhrin ministror. Çdo argument që do sillja do dukej si justifikim, dhe unë s’dua t’ju lodh J.

Shoqja ime e ngushtë, më numëroi mbrëmë në 7 vite e 8 muaj karrierë në atë Ministri, se kisha 2795 ditë pune, 4 si drejtore e Kodifikimit dhe 2 si Drejtore e Çështjeve Rregullatore. Për dy vitet e fundit ditari im tregonte se nga 176 të shtuna-të diela, vetëm 26 prej tyre i shfrytëzova për pushim. Kusuri i tyre në punë, ose pushim me laptop në bark, që shfletonte në ekran vetëm shkresa pune!  Madje kisha shtuar plot 21 kg duke sedentuar mbi kompjuter. Gjithsesi këto mbeten shifra. Ndaj, doja t’ju përshëndesja të gjithëve, meqe nuk munda dje, dhe sot e bëj me nge’ se, s’më duhet të vrapoj për në Ministri që në 07:30.

Për kolegët/koleget:

Sidomos për ata që u përlotën kur ika dje dhe u tronditën shumë kur më panë që mblidhja sendet vetjake të zyrës. Nuk përmend dot emra, se edhe lotët mund t`ju ngarkojnë me faj J. Sekretari Gent` do mërzitej dhe do ju merrte në pyetje me orë të gjata siç e ka zakon, thua nuk ka punë për të bërë, ndërsa Etilda do ju hakërrehej: kush do t`iki pas saj, se ju shkarkoj menjëherë! (me një të kërcitur gishtash në fakt J). Por kam një këshillë për ju…mos duroni kurrë t`ju shkelet dinjiteti apo t`ju ndrydhet personaliteti, nga askush, as nga Gent Sekretari, as nga Etilda Ministresha. Mos e lejoni më! Mos lejoni më asnjë njeri, qoftë grua pa takt dhe shpirt`humbur, t`ju mbajë peng me fjalët “shkarkim!”. Nuk do dua kurrë t`ju imagjinoj më, ashtu si ju shihja shpesh tek gëlltisni lotët dhe ndjenjën e tmerrshme të fyerjes, njësoj si episodi i të premtes së kaluar. Mos e lejoni më, as njërën, as tjetrën. Puna nuk është çark, është punë dhe frymë bashkëpunimi në grup, për përmbushjen e objektivave të vendosur dhe për t`i shërbyer njerëzve të vendit tonë që, ftohtë i thërrasin taksapagues. Puna duhet t`ju japë kënaqësi. Lërjani këtë çark të shpirtit atyre që nuk shpëtojnë dot më prej tij! Ju po, jeni ende në kohë J

Kolegët e mi të dashur djem! Bëhuni burra dhe përballuni si të tillë, qoftë dhe me ministreshën që jua shpërfill dinjitetin më shumë se mashkulloritetin. Shumë shpesh ju kam parë dhe ju të gëlltiteni dhe duroni pa fund, nën frikën e shkarkimit me një “të kërcitur gishtash”. Në fakt, kështu e ka të parashikuar ligji për shërbimin civil, “shkarkimi bëhet me kërcitje gishtash të titullarit” J.

Këshilla ime për ju, është që ndonjëherë mund edhe t`i thoni Stop, sokëllimave të përçarta të Etildës. Kjo vlen edhe për ty Sekretar. Bëhu burrë ndonjëherë se, nuk bëhet kiameti, dhe as prishet prokurimi ?

Për të njohurit e Kryeministrisë, kam nostalgji. Për kohët kur punuam bashkë dhe bisedonim për punë me etikë… dhe ato ikën, nuk duruan dot më, veç shumë pak...ikën nga sytë këmbët. Shpëtuan nga Ministria e Drejtësisë. Shpëtuan nga ministresha. Ikët ju, po iki edhe unë.

Me përfaqësuesit e Kuvendit s’do kem më komunikim për çështje, diskutime dhe mbrojtje ligjesh. Ishte një eksperiencë njerëzore dhe profesionale që më ka ndihmuar pa masë. Do më marrë malli për respektin që gjeja gjithnjë aty, nga deputetët, kryetarët e komisioneve dhe çdo individ që futej dhe dilte prej asaj godine që quhet Kryesia e Kuvendit.

Zonja Agnes, kolegë të Euralius V,

Patëm shumë shkëmbime, diskutime profesionale për shumë ligje, akte dhe kam mësuar shumë prej jush. Sidomos për etikën e komunikimit. Respektin e ndërsjelltë. Disiplinën e përcaktuar për punë. Ju falënderoj që më keni respektuar mendimin edhe kur më vonë kuptoja që mund të kisha gabuar apo insistuar me të padrejtë në ndonjë rast. Dhurojini pak takt dhe mirësi nga e juaja edhe ministreshës së Drejtësisë shqiptare. Ka nevojë ?

Kolegë të Dhomave,

Përcilljani këtë e-mail notervë, ndërmjetësve dhe përmbaruesve, së bashku me ndjesën time në rast se ju kam përcjellë apo kërkuar më shumë kërkesa llogaridhënie se ç’duhej. Por nga ana tjetër për ju, jam përpjekur për aktet ligjore, për aq sa... mendoj që janë shumë të mira. Për aktet nënligjore nuk di ç’tju them. Keni ministreshën kompetente për to. Tavolina e saj rri plot me këto drafte me muaj dhe muaj me rradhë. Me siguri u flet me takt çdo ditë në mengjes kur i sheh në tavolinë ?

Etilda, e dashur, të erdhi radha e përshëndetjes,

Gjithmonë të kam menduar me kërshëri. Një vajzë e thjeshtë nga qyteti i bukur i Pukës, që ka arritur gjithçka të dëshiruar në jetë nga një grua apo vajzë shqiptare, madje shumë shpejt. Një familje të mrekullueshme. Një karrierë për t’u patur zili. Pa shumë mundime në administratë, në moshën 36 vjeç Ministre e Drejtësisë. Të njeh gjithë Shqipëria, (pra edhe e famshme), shumë kanë simpati. Je simpatike dhe elegante. E papërfolur për dy vite ministre, përveç ndonjë episodi si biletat e shtrenjta të udhëtimeve dhe hoteleve jashtë vendit. Kokëulur dhe punëtore dukesh në publik. Por, gjithmonë, ne vajzat dhe djemtë e MD-së të kemi parë të frustruar, të pakënaqur, me një lloj trishtimi dhe dëshpërimi të thellë. Gjithmonë duke u hakërryer dhe ulëritur. Nëse në jetën reale, nevojat të janë plotësuar dhe ke sukses, përse duhet të jesh kaq e ashpër dhe e keqe me vartësit e tu? Me ata që supozohet se janë poshtë teje dhe ti po të duash, i fryn me një puhizë që të del nga buzët dhe gishtat, duke i lënë pa punë. Përse Zëendësministrat janë ‘happy’ kur ikin nga MD, dhe përse askush tjetër nuk pranon të vijë aty? Do të lutem, shihe dhe mendoje me pak dashuri vartësin tënd. Kujto veten kur ishe 30 apo 25 vjeç, sa mirë silleshin me ty, ata që të dhanë mundësinë të jesh sot, aty ku je. Madje, do t’i lutem edhe Kryeministrit për ty ?

I dashur Kryeministër,

Në fuzionin e këtyre ditëve post-tërmet, lexo dhe dy rreshta të buzëqeshur nga unë. Të lutem, ndihmoje Etildën! Ndihmoje të sillet me kolegë e bashkëpunëtorë, ashtu si imagjinoj se sillet me ju. Tregoja me takt që ta kuptojë se, kjo është shumë e rëndësishme për Ministrinë dhe për vetë Qeverinë. Ndihmoje të gjejë një Kabinet, ca drejtorë dhe këshilltarë të mirë. Ndihmoje në këtë drejtim se, vetëm imazhi i “vajzës së mirë” nuk do ta ndihmojë qeverinë që po kryeson, të ketë një ministri që ndihmon suksesin. Sikur ta bëje menjëherë, në këto ditë të ngarkuara si sot, me siguri që Etilda do shndriste. Do llamburiste. Si një pemë e bukur e vitit te ri, ajo do bëhej modeli i suksesit qeveritar. Por kujdes, se më pas mund të të zinte vendin? Do ishte gati! Perfekte për të na prirë të gjithëve.

Punë të mbarë të gjithëve në këtë ditë me diell dhe të ftohtë. Besoj se do urohemi për Vitin e Ri.

Katrin

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.013562917709351
array(1) { ["section"]=> string(149) "behuni-burra-ndonjehere-se-s-behet-kiameti-perballuni-me-ministreshen-del-letra-e-plote-e-drejtoreshes-qe-tronditi-rrjetin-cfare-s-keni-lexuar-189306" }