Ben Blushi: Emri im në kazanët e plehrave u shkruajt nga bashkia, Veliaj qëllonte dikur me fiq Bashkim Finon

Publikuar tek: politike, më 17:12 27-09-2016 Ben Blushi: Emri im në kazanët e plehrave u shkruajt nga bashkia, Veliaj qëllonte dikur me fiq Bashkim Finon

Deputeti Ben Blushi, vë shenjën e barazimit mes qeverisjes së Sali Berishës dhe qeverisë aktuale të Edi Ramës sa i takon ligjit për importin e mbetjeve.

I ftuar në emisionin “Dritare”, me gazetaren Rudina Xhunga, në Vizion Plus, Blushi tha se ligji është kriminal, pasi do të rrisë edhe më shumë sëmundjet kanceroze, ndërsa ka dhe një përgjigje për ata që shkruan emrin e tij në kazanët e plehrave.

Blushi foli edhe për firmën e tij në 2004 për  impiantin e plehrave.  Media këto ditë, pas fjalimit të tij në parlament i kujtoi Blushit se edhe ai kishte firmosur 12 vjet më parë, kur ishte Ministër i Pushteti Lokal në qeverinë Nano.

Zoti Blushi, pse jeni kundër ligjit?

E para, sepse besoj se moralisht ky akt nuk mund të kalonte nga kjo qeveri. Për shkak se historia dihet, në vitin 2011 një ligj i ngjashëm apo identik do të thosha unë u kalua nga maxhoranca e kohës nga qeveria e Berishës dhe opozita e asaj kohe, PS e kundërshtoi. Madje furnizoi shoqatat ambientaliste të Shqipërisë që u rreshtuan kundër ligjit me pothuajse 65 mijë firma.

Ata nuk i morën vetë, ishin deputetë të PS, ata që votuan sot ligjin, që i ndihmuan shoqatat të gjenin firmat për referendum. Në vitin 2013, ligji u shfuqizua, ishte një nga aktet e para të qeverisë dhe mori vota të plota nga ana e shumicës sonë. Si akt moral ky është totalisht i pamundur. A ka qeveri, që mirë që nuk bën ato që ka premtuar, por bën edhe akte si ky që bëri?!

Ishit kundër si akt moral?

Ky ishte si akt moral. Si akt politik është totalisht i papranueshëm. Unë nuk e kuptoj se si shumë kolegë të mi në Parlament patën guximin ta votonin. E dyta, në aspektin e rentabilitetit. Pra, shoqëria po helmohet me argumentin se industria e riciklimit po falimenton dhe kjo është arsyeja pse ne duhet ta furnizojmë me mall importi.

Kjo po ndodh, pra, falimentimi, thotë Dhoma e Tregtisë… Fakti është që ky ligj është totalisht kriminal. Ajo që mua më habit është se si ka mundësi që në këtë qeveri, nuk flet njëri për shëndetin. E dini ju se me statistikë Shqipëria është ndër vendet e para në Europë për sëmundjet kanceroze. Këtu flasim për plehrat dhe nuk flasim për shëndetin. Kë mbron qeveria, industrinë, që sigurisht duhet ta mbrojë, por në radhë të parë duhet të mbrojë interesin publik. Ne pamë një votim ushtarak, militar, ku të gjithë njerëzit që kishin votuar kundër para 3 vjetësh, të enjten votuan pro.

Ka dhe një çudi të madhe: një parti më e vogël në Parlament, në 2011­n ishte pro këtij ligji, në 2013­n ishte kundër dhe në 2016­n ishte përsëri kundër. A mund të ndodhë kjo në një shoqëri normale?! A ka mundësi që në një shoqëri normale të kesh tre qëndrime në një sallë Parlamenti për të njëjtën çështje?! Interesi publik është totalisht i cenuar me këtë ligj. Gjendja shëndetësore do të rëndohet dhe rastet me kancer me këtë ligj do të shtohen, sepse askush nuk më jep përgjigje se çfarë do të ndodhë me mbetjen e mbetjes.

A besoni se do të ketë referendum për mbetjet?

Kryetari i Rilindjes bën referendum për t’u zgjedhur vetë, por nuk lejon referendum popullor për mbetjet. Referendum për mbetjet jam i sigurt se nuk do të lejohet. Tani që do të bëjë dhe ndryshimin e fundit në KQZ, ku do të shkojë një rilindas, sigurisht që nuk do ta lejojë sa kohë do të jetë në pushtet.

Çfarë zgjidhet me shkrimin e emrit të deputetëve në kazanë?

Të paktën do t’u vijë turp për atë që kanë bërë. Në Parlament janë bashkë PD, Rilindje dhe LSI për importin e plehrave, sepse janë paguar nga e njëjta faturë.

Atëherë, çfarë bëni ju akoma në këtë maxhorancë të paguar me fatura?

Të gjithë jemi duke bashkëjetuar me plehrat që kemi në lagje, unë nuk bëj përjashtim. Po përsosim shqisat e bashkëjetesës. Lufta kundër plehrave është një test i shoqërisë shqiptare për të provuar se ka fibra rezistence duke u vetorganizuar ndaj të keqes.

Do firmosni referendumin, zoti Blushi?

Do ta jap firmën për referendum.

Edhe pse ju bëtë thirrje që të shkruhen emrat e deputetëve që votuan pro ligjit, pamë që kishin shkruar dhe emrin tuaj.

Ka një ndryshim: qytetarët e lirë shkruan në kazanët e plehrave emrat e deputetëve që votuan pro importit të mbetjeve, ndërsa emrin tim e shkruan punonjësit e Bashkisë me urdhër, të cilët paguhen nga taksat tona, dhe nga të rinjtë e FRESSH­-it.

Z. Blushi, po ju me cilin Blush jeni sepse në media,  doli edhe një firmë juaja në ligjin e 2004-ës për plehrat.

E para këto të dyja nuk kanë asnjë lidhje sepse ai impiant për të cilin unë paskam firmosur, ku është, dini gjë juve?!

Nuk u bë sepse pati protesta.

Si mendon, nuk u bë se doli Erion Veliaj me fiq e me domate? Më kujtohet që Erion Veliaj dilte e i gjuante me domate Bashkim Finos, një koleg imi në vitin 2003-2004.

Që firmosi edhe ai.

Por nuk është kjo arsyeja pse nuk u bë. Në atë kohë ka pasur një debat shumë të gjerë brenda qeverisë për shkak të ligjeve në fuqi për të dhënë një marrëveshje koncesionare për një kuotë importi të mbetjeve nga jashtë për tu djegur. Për shkak të mendimeve të ndryshme që kishim ne brenda qeverisë, ky ligj nuk u bë, ajo kontratë nuk u nënshkrua. Çfarë tregon kjo? Tregon thelbin e kësaj që po ndodh sot. Pra, brenda qeverisë kishte pikëpamje të ndryshme për një çështje. A mendon se kjo mund të ndodhë sot?

Brenda asaj qeverie të gjithë firmosën, nëse nuk gaboj.

Brenda asaj qeverie kishte kontradikta për atë akt dhe kjo është arsyeja që nuk u bë.

Pse kush ishte dikush kundër?

Sigurisht që ka pasur njerëz kundër dhe kjo është arsyeja që kontrata nuk u bë dhe nuk dua të tregoj detaje më shumë se kaq. Fakti është që ai impiant nuk është në Shqipëri, kurse sot kemi një ligj i cili parashikon importin, pra dyer të shqyera për mbetjet evropiane, pa asnjë argument industrial ose rentabiliteti që mund ta mbështesë këtë gjë. Dëgjova kryeministrin që tha sot dhe dje, argumentet e tij janë qesharake, sigurisht. Tha: “Kemi hapur vetëm tre dogana për mbetjet”. E di si është kjo? Është njësoj sikur të kesh afër shtëpisë një fushë të ndotur dhe të ngushëllohesh se nuk i ke hapur të gjitha dritaret, por vetëm tre dhe era e keqe futet vetëm nga tre dritaret. Ky është një argument foshnjarak. Fakti është që ky ligj është totalisht kriminal dhe ajo që mua më habit është se si ka mundësi, në këtë shumicë ose këtë qeveri, dhe kjo është filozofi në fakt, nuk flet njeri për shëndetin. E dini ju që me statistikë Shqipëria është sot ndër vendet e para në Evropë për sëmundje kanceroze. A ke dëgjuar njeri të flasë për këtë temë? Kë mbron qeveria? Mbron industrinë? Sigurisht që duhet t’i mbrojë dhe vendet e punës pa dyshim që duhet t’i mbrojë, por në radhë të parë duhet të mbrojë interesin publik.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0078561305999756
array(1) { ["section"]=> string(112) "ben-blushi-emri-im-ne-kazanet-e-plehrave-u-shkruajt-nga-bashkia-veliaj-qellonte-dikur-me-fiq-bashkim-finon-54300" }