Ben Blushi përgatit ikjen nga PS: Sot nuk humba unë, fitova lirinë time

Publikuar tek: slide-lart, më 11:53 10-04-2016 Ben Blushi përgatit ikjen nga PS: Sot nuk humba unë, fitova lirinë time

Një letër për shtypin

Meqë për shumë vjet kam qenë gazetar kam mësuar një gjë:e vërteta del duke e kërkuar. Kjo mu kujtua edhe dje ndërsa ndiqja lajmet për referendumin  dhe mënyren sesi ato po jepeshin on line.

Të gjithë televizionet ishin përqëndruar tek vitrina e referendumit në qendër të Tiranës, ku votues mbi bastun u thoshin vajzave mbi mikrofon se ata po votonin me bindje që Edi Rama të vazhdonte të ishte Edi Rama.

Nuk pashë asnjë kronikë tjetër. Asnjë lajm nga fshatrat apo nga zonat e tjera të vendit,asnjë njeri që votonte dhe asnjë proces numërimi.

Meqë ra fjala a ka ndonjë televizon që ka marre pjesë në numerim dhe hapje kutish? Asnje deri tani. Këto janë votimet  e para në Shqipëri, nëse mund të quhen votime, ku nuk ka asnjë dëshmi nga procesi i numërimit.

Nuk dihet se si është votuar nëpër fshatra,çfarë ka ndodhur me listat, kush ka marrë pjesë në votim,sa të sigurta kanë qenë kutitë e votimit, pra asnjë gjë tjetër.

Vartësit e Edi Ramës numëronin votat e Edi Ramës. Dy ditë më parë këtë referendum e kisha quajtur PARAMA PAPERS që do të thotë një proces politik jashtë kontrollit, që në gjuhën e financave quhet off shore. Pa taksë. Taksa e kontrollit mbi referendumin dje ishte zero.Ishte një referendum pa taksë lirie. Me sa duket kisha të drejte që e përcmova si një grabitje. Fishekzjarret më provuan se ankthi i njeriut që e sajoi referendumin paska qenë më i madh se manipulimi i procesit,më i rëndë se pesha e kutive të mbushura dhe më i gjatë se lartësia e zjarrvënies. Vetëm në Panama mund të festohej nga bashkia e kryeqytetit një referendum partiak.

Por meqënëse mediat e Tiranës e kanë marrë të mirëqenë se dje ka fituar Edi Rama dhe kam humbur unë, pa u marrë fare me cilësinë dhe mënyrën e administrimit të këtij refendumi ,madje duke e marrë të mirëqenë këtë votim,  më kanë bërë thirrje sot të largohem nga PS, pasi humbja paska qenë kaq e thellë, sa për mua nuk ka më vend në atë gropë, që sipas tyre është PS, dua të them nja dy tre të vërteta për të gjithë.

Në këtë referendum unë nuk isha. Që në fillim nuk kam qenë dakort me këtë sajese që kishte vetem nje synim:të më hiqte të drejtën e kandidimit. Ky ishte një referendum kundër meje, cka e them pa modesti. Nuk jam autori i tij, por isha qellimi i tij. I bindur se Edi Rama kishte frikë nga gara, e lashë vetëm me vartësat e tij të cilët bëne listat, i ndryshuan, i hartuan,i hëngrën dhe i kafshuan sikur të ishin copa dhjami mbi një tryeze të kalbur.

Ky rerefendum ishte në kundershtim me statutin e PS i cili kërkon që të mbahen zgjedhje për kryetarin e PS një herë në katër vjet. Ky referendum u krye në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të PS sipas të cilit referedumet nuk mbahen dy muaj para dhe dy muaj pas Kongresit.

Në këtë refendum nuk pati palë, pasi palës që teorikisht e kundërshtonte nuk i njohën fushatën, vëzhguesit, numëruesit dhe kontrollin mbi listat.

Pyetja ështe pse? E thjeshtë:për ta grabitur dhe per ta manipuluar sic edhe ndodhi. Për të shitur një fishekzjarr si zjarr.Kam qindra mesazhe nga socialiste në gjithë Shqipërinë që nuk kanë votuar dhe që dëshmojnë se sidomos në fshatra nuk është votuar fare. Në shumicën e komunave kutia e votimit është qarkulluar nga një fshat në tjetrin duke u shkuar njerëzve nëpër shtëpi. Ky referendum ishte bosh si një kioske ambulante e falimentuar.

Ai nuk shiste fiq por blente nënshtrim. Sa për dijeni referendumi ka patur kuti votimi vetëm në qendrat e komunave të vjetra që kemi patur. A beson njeri se socialistët nga fshatrat e thella kanë shkuar të votojne në qendrat e komunave që në shumë raste janë mbi një orë larg?Jo vetëm dyshoj, por e di që nuk kanë shkuar.Ata nuk kishin pse të shkonin në një votim rezultati i të cilit dihej. Edhe pas referendumit, Edi Rama do ishte sërish Edi Rama. Po aq i vjetër  dhe démodé dhe   po aq frikacak sa c’ishte edhe një ditë më parë. E për çfarë duhet të harxhonin karburant dhe kohë për Edi Ramën kundër Edi Ramës i cili dje nuk ka vlejtur as sa dyqind lekë nafte në serbatorin e socialistëve?

Nëse sic  pretendohet, në referendum kanë marrë pjese mbi 90 per qind e listës së votuesve kjo i bën socialistet një rracë e panjohur votuesish deri më sot, dhe dua ta them pse. Në dy zgjedhjet e fundit te vitit 2013, parlamentare, dhe 2015, lokale, shqiptarët kanë shkuar në votime në masën 54 dhe respektivisht 49 për qind. Kjo do të thotë se socialistët shqiptarë votojnë më shumë për një referendum pa kuptim se sa për deputetët dhe kryetaret e tyre të bashkive të cilët nga shifrat del se i votojnë më pak.

Nësë kjo është vërtetë deputetet dhe kryetarët e bashkive që dje kanë numëruar votat dhe kanë mbushur kutitë duhet të skuqen dhe të fusin fishekzjarret në akull.

Sipas të dhënave që më kanë ardhur nga gjithë Shqipëria më rezulton se në referendum nuk kanë marrë pjesë më shumë se 40 për qind e listës.

Organizatoreve iu takon të provojnë se nuk është kështu duke bërë publike proceverbalet e votimit dhe natyrisht duke hapur kutitë. Unë nuk do them hap kutitë ose largohu, por do them hap kutitë ose turpërohu!

Për të gjithë ata që sot besojnë se në këtë referendum paskam humbur dua tju them një gjë:

Askush nuk humb lirinë nga një grabitje. Dhe sidomos nga një grabitje publike që ndodhi në ekran.

Aq më pak unë. Ky referendum më bindi se në Partinë Socialiste nuk lejohet me votim. Kjo ka ndodhur për shtatë vjet me rradhë. Kjo ndodhi në Kongres kur nuk u votua për asgjë përvecsve me dorën lart dhe kjo ndodhi edhe dje kur kutitë u mbushën.

Megjithatë sot jam njeriu më i kënaqur dhe njëkohësisht më i trishtuar në Shqiperi dhe dua të shpjegoj pse: Jam i kënaqur sepse vetem me një fjali e detyrova Rilindjen të futej në kuti.

Kosto më të vogel për të provuar një të vërtetë nuk kisha paguar kurrë. Duke thënë se do kandidoj për kryetar të PS e nxita Rlindjen të  armatoste disa mijëra vetë duke u dhëne atyre kuti, makina,bankina, lista, kanistra, lapsa, hapsa, goma, dhoma, karrige, tavolina,kartolina, kartona, butona, hudhra,kudhra, karrota, rrota, fiq, pika, thika dhe pistoleta,zjarre dhe fishekzjarreë me të cilët menduan se më kanë goditur dje.

Por kjo ishe e vetmja mënyrë për ti treguar Shqipërisë se nga kush drejtohet.

Dhe besoj se Shqipëria me kupton.Dhe më mirekupton. Kjo ishte e vetmja mënyë për tu provuar shqiptarëve se liria ka një cmim që ata duhet ta paguajnë që ta kenë. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të vërtetuar se Rilindja është dhe ka qenë një lavatrice e mediokritetit dhe e shëmtise në këtë vend.C’ka më trishton.Më trishton kur shoh se si një parti është futur në lavatricen e Rilindjes për të pastruar rrobat e Funeralit të vet.

Për të gjithe ata që besojnë se unë kam humbur kjo është pergjigja ime: Sot nuk kam humbur asgjë. Sot kam fituar lirine time. Dhe kjo vlen më shume se çdo referendum. Dhe më shume se cdo parti.  Liria ime nuk futet ne lavatriçe, sepse nuk ka nevojë të pastrohet. Pas shumë vitesh do kem rast të qesh duke treguar shakanë time të  plotë. Por deri atëhere kam shumë gjëra për të bërë.

Do ti tregoj Shqipërisë se nuk është koha për ta përçmuar Rilindjen por për ta rrezuar.

Personazhi i vitit 2019

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.022879838943481
array(1) { ["section"]=> string(75) "ben-blushi-pergatit-ikjen-nga-ps-sot-nuk-humba-une-fitova-lirine-time-37306" }