Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja ka shkuar sot në Novoselë të Vlorës, 7 ditë pas përmbytjeve, për të inspektuar situatën e krijuar aty nga përmbytjet. Beqja ka siguruar se ministria e tij po e ndjek nga afër situatën e krijuar dhe se zhvillimet janë nën kontrollin e autoriteteve shëndetësore.
I sigurtë ministri është treguar edhe për sa i përket izolimit të sëmundjeve të mundshme ngjitëse, të cilat rrezikojnë këto kohë banorët pasi një pjesë e madhe e bagëtive kanë ngordhur duke pluskuar mbi ujrat që prekin edhe banorët.
“Po e ndjekim nga afër situatën. Sot do marrim masa që të bëjmë groposjen e bagëtive të ngordhura”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Beqja, duke shtuar se edhe pse po punohet ekziston frika ndaj sëmundjeve ngjitëse tek banorët dhe specialistët.