Besa Shahini, modeli ha, merr dhe ik!

Publikuar tek: analiza-komente, më 21:00 12-09-2020 Besa Shahini, modeli ha, merr dhe ik!

Nga Freard Rista

Para pak ditësh, në një intervistë për gazetaren Ilva Tare, ministrja e Arsimit Besa Shahini njoftoi dy gjëra për të “të rëndësishme”. Ajo tha se do të jetë në detyrën e ministres deri në fund të mandatit, pra shtator 2021, dhe se më pas do të largohet edhe nga Shqipëria.

Dy vendime, dy njoftime, dy mesazhe këto që në thelb nuk transmetojnë asnjë gjë pozitive në opinion tonë publik (sidomos tek të rinjtë), madje mund të konsiderohen si vendime dezertorësh. Si ai ushtari që kur e sheh me sytë e tij rrezikun thërret “o burra të shpëtoj kokën”. Si ajo dhelpra që kur nuk i kapi dot rrushtë tha se janë të papjekur.

Mos ndoshta dhe ministrja e kuptoi, që si ta deklaronte si jo dorëheqjen, e ikur ishte? Sidoqoftë, mund të na i kishte kursyer deklaratat e saj jo-shpresdhënëse. I marrim të dyja të ndara.

“Nuk do të jem më në detyrë në fund të mandatit”

Shahini u bë e para kuadro që hapi lojën e serisë së largimeve që pritet të ndodhin në qeverinë Rama, duke ia pasuar topin Sandër Lleshajt. Në një farë mënyre i “dogji” dhe ekskluzivitetin kryeministrit për ta bërë ai vetë një njoftim kaq "të trishtë".

Deklaratën e bëri në një moment tepër delikat, vetëm një javë para se të fillojë shkolla, ndërkohë që pati premtuar shumë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe prindërit ishin në ankth për mbarëvajtjen, për kushtet dhe higjienën që do të aplikohej në shkolla, kopshte e çerdhe. Përfshirë këtu dhe stresin që kanë kaluar fëmijët gjatë kohës së karantinës nga marsi deri në fund të majit.

Si mundet që të vish në shtetin amë, të bësh thuajse ç’të duash, përveç asaj që realisht duhet bërë, dhe të thuash tani do të iki se u mërzita?!

Të jetosh mes të mirave dhe luksit, të turbullosh ujërat, të mos marrësh asnjë vendim ndërkohë që nëpër shkollat e Shqipërisë skandalet seksuale tronditën opinion publik, kur nxënësit luanin me njeri-tjetrin me substanca helmuese e përgjegjësit rrinin duarkryq! Kur maturantët dolën në rrugë dhe protestonin për tezat nul të maturës shtetërore, e ministria as e vuri ujin në zjarr, dhe pse Turi u bë personazh publik pa ekzistuar fare.

Çfarë mesazhi marrin nga kjo deklaratë të rinjtë që duan të angazhohen në politikë? Që të ministrojmë 4 vjet e të kthehemi në shtëpi me duar në xhepa e xhepat plot, pa bërë asgjë për brezin e ardhshëm? Të zhytemi 4 vjet në llumin e allishverishteve të politikës e më pas të ikim pa të keq si i bukuri shejtan?

E nderuar znj.ministre, nuk të detyron askush të qendrosh me zor, madje i bindur them se shumë mezi e kanë pritur largimin tuaj, por na i kurse teatrot. 

“Do të largohem edhe nga Shqipëria”

Një deklaratë e sinqertë kjo e ministres Shahini, por edhe këtë mund të na e kishte kursyer. Duke e ditur realitetin tepër problematik dhe shqetësues social-kulturor të vendit tonë, që nis me eksodin e viteve 90’ dhe vazhdon ende sot me shifra të frikshme, ministrja me këtë deklaratë ka përforcuar vendimin e çdo të riu dhe të reje për të ikur nga vendi.  

Shqiptarët sot duan shpresë, duan zgjidhje, që të qendrojnë në vendin e tyre e mos të largohen si të ishte zonë lufte. Shqiptarët duan fjalë optimiste, jo deklarata dezertorësh.

Është një mesazh trishtues për gjithë rininë shqiptare. Fatkeqësisht është një argument i mirë se pse ikin të rinjtë e sotëm. Kur ikin ministrat, deputetët, mjekët apo ekonomistët, çfarë pret nga një qytetar i thjeshtë që nuk e ka pasur “fatin” shok të jetës? 

Të ikësh në këtë mënyrë është e turpshme dhe burracake, pasi ke përgjegjësi jo vetëm morale, por edhe ligjore, për sa kohë pranon të jesh në krye të një ministrie kaq të rëndësishme, saç është ajo e Arsimit.  

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.021967887878418
array(1) { ["section"]=> string(41) "besa-shahini-modeli-ha-merr-dhe-ik-220192" }