Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama thotë se Shqipëria ka nevojë për një shoqëri që mendon në mënyrë kritike në lidhje me informacionin e madh që shpërndahet në internet.
Duke komentuar të dhënat e Forumit Ekonomik Botëror mbi besimin në mediat në internet, Linda Rama thotë se është konsumatori i lajmeve ai që duhet të jetë edhe rojtari që do të diferencojë informacionin e keq nga i miri.
“Interneti na ka ekspozuar drejt një oqeani të madh me të dhëna dhe informacion dhe lajme. Ne duhet të ndërtojmë një shoqëri të mendimit kritik që mund të ndajë informacionin e mirë nga i keqi. Ne – konsumatorët e lajmeve – duhet të jemi rojtarët”, shkruan Linda Rama në Twitter.
Kujtojmë se bashkëshorti i saj, kryeministri Edi Rama, është iniciatori i ligjit për “mediat online” i kritikuar si ligj që vë në rrezik lirinë e medias në Shqipëri. Sipas këtij ligji, nuk janë "konsumatorët e lajmeve" ata që bëjnë diferencimin e informacionit të mirë apo të keq, por gjobat e ashpra dhe masat për mbylljen përgjithmonë të mediave online që publikojnë informacione të konsideruara "të këqija".