Drejtori i Kabinetit të Presidentit Meta, Edmond Panariti, thotë se fundi i muajit Dhjetor dhe muaji Janar do të jenë shumë të vështirë, në përballjen tonë me Covid-19.
Ai shkruan se edhe simptomat më të lehta të virusit “të pabesë” duhet të merren seriozisht para se të jetë vonë.
“Covid-19 është tashmë në sulm të papërmbajtshëm mbi ne! Fundi i Dhjetorit dhe Janari do të jenë muaj shumë të vështirë. Çfarë dimë deri tani dhe për çfarë na duhen këto njohuri:
1. Studimet dëshmojnë se ky është një virus i pabesë , i cili "mashtron" sistemin imunitar i cili "fle" dhe nuk vepron në ditët e para të infektimit duke i hapur udhë ushtrisë virale për të pushtuar sistemet dhe organet.
Organizmi, reagon më pas furishëm dhe papritmas pas disa ditësh kur pushtimi viral është i kryer.
Kësaj here më shumë duke dëmtuar se sa ndrequr situatën e cila është e kompromentuar rëndë (në gjuhë shkencore kjo quhet stuhia e citokinave). Prandaj edhe simptomat më të lehta të infeksionit duhen marrë shumë seriozisht, para se të jetë vonë...”, shkruan panariti.
Më tej, ai thekson se sistemi imunitar “i fjetur” duhet mbajtur “zgjuar” duke bërë vaksinën e gripit, duke marrë vitaminën C, D dhe zink.
“Sistemi imunitar i fjetur nga "marifetet" mashtruese të virusit duhet mbajtur zgjuar dhe stimuluar me kohë me vaksinën kundër gripit stinor, e cila e stërvit atë dhe e mban në gjëndje gatishmërie (tonusi). Prandaj vaksinimi kundër gripit këtë vit ishte dhe ende është më i rëndësishëm se kurrë.
Së dyti suplementet e vitaminave C, D, dhe zinku duhet të përdoren masivisht si stimulantë dhe nxitës së përgjigjes imunitare edhe pa u shfaqur shënja. Shpresojmë dhe urojmë që vaksina kundër covid të mbërrijë sa më parë”, përmbyll Edmond Panariti, drejtor i Kabinetit të Metës.