Betoni në Butrint, s’duron më arkeologu Ceka: Kumbaro po fut fast food-et HAKO në park, zyra e UNESCO-s një dhomë varrimi, të zhduket urgjent!

Publikuar tek: aktualitet, më 16:41 06-10-2017 Betoni në Butrint, s’duron më arkeologu Ceka: Kumbaro po fut fast food-et HAKO në park, zyra e UNESCO-s një dhomë varrimi, të zhduket urgjent!

Ndërtimet që kanë filluar në parkun arkeologjik të Butrintit dhe betonizimi që po i bëhet këtij parku shihen me një shqetësim tejet të madh nga ana e arkeologëve.

Njëri nga ata që e ka ngritur zërin herët për atë që po ndodh në Butrint është profesori Neritan Ceka. Në një intervistë për newsbomb.al, profesor Ceka u shpreh se ajo që po ndodh në Butrint është një masakër e pashoqe dhe se parku ka nevoja të tjera më imediate.

Ai më tej lëshoi akuza të ashpra në drejtim të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro për të cilën tha se po tenton të fusë në park një fast food “hako” duke betonizuar një nga zonat më të hershme të këtij qyteti antik që ka të bëjë pikërisht me kohën kur ai është krijuar.

Intervistoi Ardit HOXHA

Çfarë po ndodh në Butrint, kush janë përgjegjësit e situatës së krijuar dhe si është e mundur që është bërë një kapërcim i shumë i  institucioneve për të mbërritur tek punimet në terren?

Unë mund të them që nga një anë, Butrinti është qëndra më e rëndësishme në Shqipëri në atributin si Park Arkeologjik dhe është njëkohësisht një dëshmi se investimi në arkeologji është një investim ekonomik dhe jo vetëm kulturor. Pra të ardhurat e Butrinit do mund të mbulonin të gjitha shpenzimet që bëhen sot në fushën e arkeologjisë, të restaurimit, por edhe investimet në kërkimet arkeologjike në të gjithë Shqipërinë në të ardhmen për të krijuar parqe të reja arkeologjike.

Në fakt kjo jo vetëm që nuk ndodh, por prej vitesh ka investime të parëndësishme. Nuk mjafton kjo, por ka edhe një argesivitet për të futur privatin në Butrint. Nuk ka një strategji për Butrintin sepse është pasuri publike e rëndësishme arkeologjike dhe unë do të thoja që sot për sot është pasuria më e rëndësishme arkeologjike në vendin tonë. Për këtë arsye nuk mund t’i lihet një grupi të kufizuar njerëzish e sidomos në kushtet që institucionet shtetrore kompetente që janë marrë me këtë punë, si Instituti i Monumenteve dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik që janë katandisur “ku thërret qameti”  nuk kanë më specialistë. Ministria e Kulturës nuk ka specialistë dhe ka vetëm sekserë të cilët përgatisin shitjen e pasurisë arkeologjike, miqve të tyre.

Butrinti është shembulli tipik, në vend që të studiohet që çfarë mungon në atë park dhe mungojnë shumë gjëra akoma në fakt, të cilat mund të përballohen vetëm me të ardhurat që prodhon Butrinti.  Instituti i Monumenteve që është një institucion që siç thashë është katandisur keq e mos më keq, propozon një përmirësim të infrastrukturës së shërbimeve që në fakt nuk është detyra e Instituit të Monumenteve.

Cilat do të ishin hapat legal për të ndërhyrë në Parkun Arkeologjik të Butrintit për të bërë një ndërtim të atij lloji?

Hapi i parë legal është që së pari duhet në vendim i Këshillit të Restaurimit. Por përtej kësaj unë do të thoja që të kishte një strategji, domethënë që Ministria e Kulturës të thotë, në Butrinit do të ndërhyjmë  kemi kaq para dhe do bëjmë këto gjëra. Të diskutohej në të gjithë faktorët se nuk është vetëm Ministria e Kulturës, sepse aty është edhe Instituti i Arkeologjisë janë dhe një numër i madh personash të cilët ndoshta nuk punojnë më në atë sektor, por kanë ndjeshmëri për Butrintin.

Hapi i dytë do duhej të ishte Instituti i Monumenteve që ka një sektor që mbulon monumentet antike. Instituti duhet të bënte një studim për Butrintin që do të kalonte më pas në Këshillin Shkencor i cili nuk ekziston më se nuk ka më shkencëtar aty nuk ma asnjë profesor nuk ka asnjë arkitekt të aftë nuk ka asnjë njeri të aftë në terren dhe është ku “thërret qameti”. Tashmë Instituti i Monumenteve është në rangun e një drejtorie rajonale. Nuk mund të bëhet zë kryesor zëri e shërbimeve në Butrint dhe të ngrihet i gjithë sistemi dhe të punojë se si do t’I jepet një kompanie private një ndërtesë me 100 m2. Dinakëria në këtë rast është se e kanë konsideruar vetëm si përmirësim të ndërtesës ekzistuese domethënë punime konservimi e restaurime të një godine pa rëndësi.

Hapi i tretë që mungon është një vendim i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, pasi do të ndërhyet edhe në territor, pra jo vetëm godina që do të preket por i gjithë territori po mbulohet me beton. Domethënë aty varroset për disa vite me radhë sa do zgjasë koncesioni, e gjithë zona që nesër mund të jetë objekt i kërkimeve arkeologjike sepse ajo zonë vetëm sa ka filluar. Pastaj problem në atë zonë është dhe ajo është zona që quhet Butrinti trojan. Aty është pjesa më e vjetër e Butrintit, janë shtresa të kohës së bronzit, janë shtresa të themelimit të qytetit që është edhe muri më i vjetër ku aty pran është porta e parë e Butrintit që i takon shekullit të 7-të para erës sonë. Ajo zonë tani bllokohet dhe është pjesa e prapme e godinës që do të bëhet. Se unë nuk e di dhe çfarë do bëhet aty, por kam përshtypjen se do të jetë një “fast food”. Kjo është një arbitraritet që bëhet pa pyetur as Institutin e Arkeologjisë. Drejtori i Institutit që duhet ta dinte, prof Luan Përzhita nuk kishte asnjë njoftim. Domethënë çdo gjë ëstë bërë në një mënyrë të tillë që të anashkalohen organet ku mund të ketë ndonjë autoritet.

Cilat janë nevojat reale të Parkun Arkeologjik të Butrintit?

Butrinti ka nevojë për një strategji. Butrinti nuk mund të jetojë i vetëm ai, duhet të futet në një rrjet sëbashku me të gjitha parqet e tjera arkeologjike siç janë Parku arkeologjik i Finiqit, ai i Antigonesë apo ai i Orikut. Duhet që një turist kur vjen me një biletë të ketë mundësinë që të vizitojë të gjitha këto site në të tre parqet arkeologjike.

Duhet të kishte një drejtues të vetëm jore drejtorë ose më shumë, i cili të punojë me një arkë të përbashkët e cila mund të shërbente për të hapur parqe të reja arkeologjike në atë zonë pse jo, sepse ka potenciale të mëdha. Në krahun tjetër është Butrinti romak që pak njerëz e dinë.

Dihet që Butrinti ka 4 muaj frekuentim apo dhe pak më shumë nga mëngjesi deri në darkë. Por çfarë ndodh Butrinti hapet në ora 9 dhe mbyllet në ora 5 apo 6 pasdite në vend që parku të ndriçohet. Duhet të shtohet stafi gjatë sezonit dhe jet i hapur deri në orën 12 dhe pse jo të ketë edhe netë të bardha siç bëhet në të gjithë botën. Të krijohet mundësi që ai turist që futet me biletë të ketë mundësinë që gjatë verës të shikoj një shfaqje teatrale.

Duhet një sistem kamerash që të kontrollohet çdo cep i Parkut.

Duhet që parku arkeologjik i Butrintit të ketë një sistem kundër zjarrit se po ra një zjarr në Butrint do të jetë një katastrofë e paimagjinueshme

Nëse bie zjarr në Butrint, nuk do kishte më Butrint. Do jetë si një pulë pa pendë do duket një karikaturë shumë e shëmtuar e zhveshur nga pylli, për të cilin janë dashur qindra vite që të krijohej dhe nuk riparohet më.

Duhet  një vend pranimi. Të gjithë turistët që vijnë Butrint nuk kanë ku të qendrojnë rrijnë në radhë në pikën e diellit se nuk ka një sallë pranimi. Ke një barake ku shiten disa bileta dhe kaq.

Një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë Auron Tare, pa të cilin nuk mund të kishim atë Butrint që ne shohim sot, do e kishin mbushur me lokale dhe ndërtime. Ishte Auron Tare ai i cili u vuri “kufirin te thana” dhe ndërtoi murin që ne shohim sot dhe nxorri ata që kishin hyrë. Por çfarë ndodh tani, dikur u nxorën nga dera tani duan që t’i fusin sërish nga penxherja kjo është e gjithë historia.

Institucionet kompetente u shprehën se do të jetë një beton i përkohshëm…

Nuk ka beton të përkohëshëm. E para e punës Kumbaro duhej të thoshte se përse i duhej kjo gjë dhe pse nuk i bën këto punët e tjera?  Pse nuk pyet kjo zonjë e nderuar Auron Taren xhanëm? Pse nuk pyet Neritan Cekën, Apollon Baçen apo edhe shumë të tjerë që kanë kontribuar për Butrintin. Kë ka pyetur xhanëm që do të çojë “hakon”nga tryezat e miqsive familjare në monumentet e kulturës. Kjo është e pashpjegueshme, ose mund të shpjegohet me parimin hajt të shesim çfarë të mundemi.

Çfarë mund të bëhet për ta shpëtuar Butrintin?

Unë besoj shumë në opinionin publik siç ka reaguar edhe për çështje të tjera të ndjeshme. Se unë nuk e kuptoj që del një, në Durrës që do të bëj një velierë para kullës që është simboli i qytetit. Del kjo zonja që u jep miqve të saj një lokal në Butrint që nuk i ka lënë babai edhe asnjënjeri nuk çan kokën. Përveç portalit tuaj, newsbomb.al, që unë dua ta falenderoj ka një heshtje të frikshme të opinionit. Ku janë arkeologët xhanëm që paguhen nga shteti për këtë punë, asnjë prej tyre nuk ngre zërin. Kjo është tragjedia që po ndodh në Butrint, frika për të reaguar. Se unë nuk e kuptoj se si mund të trëmbesh nga Mirela Kumbaro është një njeri që është por që nuk do të jetë aty përgjithmonë.

Parku arkeologjik i Butrinit është pjesë e trashgimisë botërore të UNESCO, cili është reagimi i këtij organizmi?

Butrinti i Tiranës është një zyrë varrimesh. Është një zyrë që nuk bën asnjë punë edhe që nuk ka asnjë ndërgjegje. Unë nuk e di se kush është atje, por jam i sigurt që do të jetë ndonjë nga nënpunësit që pret pensionin që kanë larguar nga Ministria e Jashtem dhe vegjeton. Sepse nuk mund të ndërhyet në Butrint pa marrë leje nga UNESCO  edhe për gjënë më të vogël sidomos kur preket toka e Butrintit. Kjo zyrë është mirë që të zhduket nga Shqipëria pasi është zyra e asgjëje.

Çfarë mund të sjellë reagimin e UNSECO në Paris për betonizimin e Parkut të Butrintit?

Duhet dërguar një letër në Paris dhe unë kam shpresë se kjo letër do të bëhet  do firmoset nga disa intelektual dhe do i çohet Parisit që kjo zyrë ose ta zhduk fare ose të vërë njerëz kompetentë dhe të përgjegjeshëm.

Unë të gjithë këtë situatë me institucionet ia kam shpjeguar kryeministrit Rama, më ka thënë që do të më takojë. Por pas kësaj interviste jam i sigurt që nuk do të më takojë më.

Personazhi i vitit 2019

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023849010467529
array(1) { ["section"]=> string(143) "betoni-ne-butrint-s-duron-me-arkeologu-ceka-kumbaro-po-fut-fast-food-et-hako-ne-park-zyra-e-unesco-s-nje-dhome-varrimi-te-zhduket-urgjent-94974" }