‘’Big Brother po ju vëzhgon’’, është kjo fraza nga një reality-show, ku konkurentët hyjnë me dëshirë brenda një shtëpie që vëzhgohet 24 orë me kamera, por kësaj here të gjithë do jemi nën syrin e ‘’Big Brother’’.
Ministria e Punëve të Brendshme e ministrit Sajmir Tahiri ka hartuar një draft për ligjin, ku çdo pallat, lokal, autobus, kopësht e shkollë në Shqipëri do pajiset me kamera. Por ndryshe nga çfarë ishte deri më tani, ku kamerat përgjithësisht aty ku kishte ishin me dëshirë, tani gjithçka do jetë e detyrueshme.
Nën vëzhgim të vazhdueshëm do të jenë edhe ambjentet e biznesve që bëjnë xhiro më shumë se 10 milionë lekë në muaj.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga për këtë projektligj të ri, i cili komenton edhe mediet që sipas tij nuk e thonë të plotë kontekstin e këtij zhvillimi.
“Kamera në çdo pallat apo vetëm aty ku ka risk urbanistik ose banojnë persona me precedent penalë? Gazetat thonë të parën, e vërteta e dyta!”, shkruan Fuga.