Bitcoin, monedha online në Shqipërinë off-line

Publikuar tek: ekonomi, më 14:11 31-05-2020 Bitcoin, monedha online në Shqipërinë off-line Bitcoin

Nga Esmeralda Cenollari

Kuvendi miratoi pa shumë zhurmë në 20 maj një ligj që legalizon dhe rregullon kuadrin ligjor për monedhat virtuale. Kështu Shqipëria bëhet vendi i tretë në Europë pas Maltës dhe Francës që legjitimon përdorimin e kriptomonedhave.

Por çfarë janë monedhat virtuale?

Kriptomonedhat ose monedhat virtuale janë monedha dixhitale të emetuara nga individë privatë, të cilat nuk kanë vlerë ligjore të garantuar nga një shtet apo institucion ndërkombëtar. Vlera e tyre e tregut luhatet si rezultat i kërkesës së individëve për transaksione ose i pritshmërive të tyre mbi rritjen e mundshme të çmimit të tregut në të ardhmen. Bitcoin njihet si monedha e parë virtuale e emetuar privatisht në vitin 2009 nga një autor anonim. Autori anonim Satoshi Nakamoto, publikoi dokumentimin e protokollit elektronik të Bitcoin dhe krijoi kriptomonedhën e parë Bitcoin, prej 50 njësish, më 3 janar 2009 (Nakamoto, 2008).

Ndonëse fillimisht interesi për Bitcoin ishte i vakët, numri i transaksioneve elektronike të kryera në këtë monedhë dixhitale u rrit ndjeshëm. Përhapja e shpejtë e Bitcoin nxiti vëmëndjen e industrisë financiare, publikut dhe autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në Shqipëri diskutimet e para për monedhat virtuale nisën verën e vitit 2017. Në atë kohë monedha virtuale Bitcoin e cila ishte e njohur masivisht në Europë e më gjerë, po lulëzonte edhe në tregun shqiptar. Por ekspertët e ekonomisë ngritën alarmin për rrezikun që mund t’i sillte investitorëve përdorimi i Bitcoin, një kod kompjuteri që nuk ekziston fizikisht por ofron fitime të larta. Në një intervistë për RTSH-në, ish ministri i financave Arben Malaj e krahasonte investimin në Bitcoin me skemat piramidale, pasi sipas tij ky lloj investimi ishte i pambrojtur dhe me risk të lartë për shkak të paligjshmërisë.

“Duhet të bëjnë shumë kujdes nga çdo ofertë përfitimi kaq të mëdha, në një kohë relativisht të shkurtër. Dhe nga historia e skemave piramidale rreth 88% e atyre që investojnë lekët janë viktima, i humbin të gjitha paratë e tyre. Vetëm 12% përfitojnë. “ – shprehej Malaj në korrik të 2017.

Ndërkaq, nisur nga shqetësimet e ngritur në media, por edhe interesi i lartë në publik, Banka e Shqipërisë paralajmëroi qytetarët të bënin kujdes. Në një reagim të posaçëm për RTSH-në, në korrik të 2017, Banka Qëndrore sqaronte se nuk ekzistonte asnjë subjekt financiar i licensuar për tregtimin e Bitcoin në Shqipëri.

Porpavarësisht paralajmërimeve për rrezik të lartë të përdorimit të këtyre monedhave, në Shqipëri diskutimet mbi kriptovalutën i riktheu qeveria. Në një deklaratë publike në 2018, Kryeministri e vlerësoi këtë nismë si “një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare”.Pas kësaj deklarate nuk pati shumë diskutime, por një vit më vonë ishte sërish Kryeministri që do t’i rikthehej kriptovalutës.

Në 2019, në Konferencën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Privatësisë Rama tha se “qeveria e Shqipërisë ka hapur konsultimin publik për një ligj të ri për tregjet financiare, bazuar tek teknologjia blockchain”. Po ashtu, pak ditë më vonë ishte sërish kreu i qeverisë që foli për projektligjin dhe avantazhet që sjell për Shqipërinë, pa përmendur risqet. Kryeministri Rama tha :

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt forcimit të besimit dhe besueshmërisë për sa i përket komunikimit, duke mos pasur në mes një ent ose ndërmjetës”.

Ligji u hodh për konsultim publik dhe propozues sikurse pritej ishte Këshilli i Ministrave, jo Ministria e Financave apo Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Në relacion, vlerësoheshin të dy anët e medaljes, përfitimet dhe rreziqet. “Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” shkruhej në relacion.

Pastrimi i parave përmendej si një nga rreziqet që lidhej me përdorimin e monedhave virtuale. “Projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licence krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.”

Hedhja e projektligjit për konsultim publik nxiti median të pyeste sërish Bankën e Shqipërisë për kriptovalutat. Në nëntor të 2019 gjatë një konference për mediat guvernatori Gent Sejko u pyet për qëndrimin e Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori u shpreh se Banka Qëndrore nuk ka qenë as pro dhe as kundër, por ka përmendur rreziqet dhe problemet, sikundër kanë bërë dhe bankat qendrore në botë, lidhur me kriptovalutat.

Koment ky që duket si hap pas nga institucioni më i rëndësishëm bankar në vend nëse e krahasojmë me qëndrimin e këtij autoriteti në 2017 për përdorimin e Bitcoin.

Ndërkohë, drafti mbërriti në dyert e kuvendit në një kohë aspak normale. Dhe thuajse si çdo draft tjetër, edhe Projektligj “për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” kaloi çdo procedurë pa shumë bujë në komisionet përkatëse parlamentare. Madje duke qënë kohë pandemie, diskutimet dhe miratimi i tij u bënë përmes mbledhjeve online. Më pas, në 20 maj projektligji mori dritën jeshile në seancë plenare nga një parlament i gjymtuar, me deputetë që ngrenë kartonat për ligje që as nuk i kuptojnë as nuk përpiqen ta bëjnë.

Shqipëria tashmë është zyrtarisht ndër vendet e para në botë që ka rregulluar me ligj kriptomonedhat nëpërmjet blockchain. Dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe, duke patur parasysh zhvillimet e tekonologjisë financiare në botë.

Por a jemi gati ne për të ndjekur këto zhvillime me këtë lloj ritmi?

farë mund të fshihet pas kësaj lëvizje të beftë për një ekonomi të vogël si kjo e jona ku më shumë se 50 mijë biznese nuk kanë hapur ende një llogari e bankare e ku shumica e qytetarëve nuk dinë ende ndryshimin e një karte debiti me atë të kreditit? Vende shumë herë më të zhvilluara se ne po hezitojnë të adoptojnë rregullimin e kriptomonedhave, ndërkohë që ne ngritëm flamurin të tretët.

Ekspertët e përkrahin rregullimin me ligj të monedhës virtuale, por ata theksojnë se thembra e akilit qëndron tek implementimi i tij. Kjo nuk është hera e parë që ne dështojmë me zbatueshmërin e ligjeve. Por në këtë rast vigjilenca duhet të jetë më e lartë. Kërkohen filtra të fortë kontrolli dhe zbatueshmëri e përgjegjshme nga institucionet përkatëse. Autoritetet duhet të mbajnë sytë hapur në çdo kohë për të ndjekur me vëmendje zhvillimet që mund të kërkojnë sërish ndërhyrje në ligj sepse përdorimi i teknologjisë lë hapësira për pastrimin e parave, në një kohë kur Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara nga ky fenomen dhe së fundmi u përfshi në listën gri nga Task Forca e Hetimit Financiar, FATF. Ndërkohë nëpërmjet teknologjisë mund të kalosh pa filtrat e kontrollit të Bankës Qendrore, aksionet e një biznesi, transfertat e emigrantëve, hipotekën e shtëpisë apo sigurimin e pronës, duke shmangur sinjalizuesit e pastrimit të parave. Kriptovalutat vlerësohen si e ardhmja, por njëkohësisht janë një thikë me dy presa në një vend të vogël si Shqipëria.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.010029077529907
array(1) { ["section"]=> string(52) "bitcoin-monedha-online-ne-shqiperine-off-line-208513" }