Një transaksion shitjeje në vitin 2012 do të çojë në prokurori anëtarët dhe ish-anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Hotel Dajti, që u shit për 30 milionë euro ka trazuar sërish ujrat për veprimin që sipas prokurorisë rezulton të jetë i dyshimtë.
Lajmi është publikuar sot në gazetën ‘’Shqip’’. Hetimet vazhdojnë për çështjen ‘’Fullani 2’’, të emërtuar për shkak të hetimeve për ish-Guvernatorin Ardian Fullani. Hotel Dajti iu ble qeverisë nga BSH-ja, por nuk ka shërbyer asnjëherë për bankën, ndërkohë që zyrat e bankës janë transferuar në një tjetër ambjent, për shkak se vetë godina e bankës në qendër të Tiranës është në rikonstruksion.
Dyshimi kryesor është se qeveria ka detyruar Bankën e Shqipërisë të blejë Hotel Dajtin, process që nisi që me një VKM më 12 maj të vitit 2010. Në brenda një muaj, BSH-ja përgatiti dokumentet, duke hedhur dyshimet për një process të parapërgatitur dhe për një shitje fictive. Sipas prokurorisë BSH-ja e ka blerë menjëherë hotelin me para KESH, edhe pse nuk kishte plotësuar të gjitha dokumentet.