Fati i gjyqit ndaj spitalit “Continental”, në çështjen e ngritur kundër këtij spitali nga familjarët e Blerta Pepës, vajzës 16 vjeçare që u nda nga jeta në këtë spital pas një ndërhyrjeje në gju në maj të vitit 2017, do të ndahet në gjykatën e Lartë.
Siç bëhet e ditur, familjarët e vajzës 16 vjeçare, që u njoh nga publiku i gjerë si pjesmarrëse në spektaklin “Gjeniu i vogël” në moshën 12 vjeçare, kanë hedhur në gjyq spitalin Continental për mjekim të pakujdesshëm të vogëlushes çka çoi në humbjen e jetës së saj, raporton newsbomb.al.
Bardhyl Pepa, Lindita Pepa dhe dy vëllezërit e adoleshentes Ermal dhe Roland Pepa si dhe daja i saj Artjon Shkoza, kanë hedhur në gjyq spitalin duke kërkuar dëmshpërblim për vdekjen e Blertës.
Çështja civile, “Padi për shkaktimin e dëmit” që ka ardhur nga gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, ka si objekt detyrimin e të paditurit të paguajë dëmin e plotë pasuror dhe jopasuror që i është shkaktuar familjarëve si rezultat i mjekimit të pakujdesshëm dhe humbjes së jetës të së miturës Blerta Pepa, raporton newsbomb.al.
Relator i çështjes do të jetë Medi Bici. Ndërkohë që familjarët, të cilët nuk e kanë marrë ende veten nga tronditja edhe pse ka kaluar kohë e gjatë, nuk pajtohen me faktin që spitali privat ta kalojë me lehtësi historinë e humbjes së jetës së vogëlushes.
Atëkohë, spitali pretendoi se vdekja e pacientes kishte ndodhur si pasojë e një komplikacioni të rrallë, dhe jo prej mbidozës së anestezisë apo gabimit njerëzor që u pretendua nga familjarët. Por gjithsesi, është gjykata që do të vlerësojë tashmë se i kujt ka qenë faji për humbjen e jetës së vogëlushes. NEWSBOMB.AL