Bollino i përgjigjet 10 pyetjeve të Metës dhe e akuzon: Ti fsheh VRASËS FËMIJËSH mes intelektualësh e Arqipeshkësh

Publikuar tek: aktualitet, më 19:40 25-10-2020 Bollino i përgjigjet 10 pyetjeve të Metës dhe e akuzon: Ti fsheh VRASËS FËMIJËSH mes intelektualësh e Arqipeshkësh Bollino - Meta

Gazetari Carlo Bollino i është përgjigjur 10 pyetjeve të drejtuara nga Presidenca pak ditë më parë, por nuk ka ngurruar edhe të akuzojë Metën se po fsheh vrasës fëmijësh mes intelektualësh e Arqipeshkësh.

Ai shprehet se 10 pyetjet që Meta i drejtoi atij dhe bashkëshortes së tij ishin në formë presioni, ashtu siç presidenti po bën edhe me gazetarët.

Reagimi i plotë:

Presidenti  Republikës Ilir Meta vazhdon të refuzojë t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve që i kërkojnë të sqarojë me detaje se cilat janë vlerat dhe interesat kombëtare të marra në konsideratë kur ka dhënë me qindra nënshtetësi shqiptare me procedura të përshpejtuara dhe pa kaluar kontrollin e sigurisë. Meta duhet të shpjegojë se përse konsideron “aset kombëtar” njerëz të arrestuar dhe të dënuar për vrasjen e 3 fëmijëve, njerëz të inkriminuar për korrupsion dhe vepra të tjera penale, këngëtarë dasmash apo një futbollist nga Gana që pasi u zbulua nga policia me leje qëndrimi të falsifikuar, “u strehua” në krahët e Presidentit dhe mori brenda tetë orësh nënshtetësinë shqiptare.

Një fenomen që ka shqetësuar edhe Bashkimin Europian, i cili u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të rishikojnë pikërisht këtë nen të ligjit për nënshtetësinë, duke ia kaluar kompetencat për të vlerësuar “interesin kombëtar” një agjencie të veçantë. Kuvendi ka pranuar kërkesën e BE, por Meta e ka rrëzuar ligjin për të vazhduar metodën e vet. 

Kjo është premisa. Për të mos iu përgjigjur këtyre pyetjeve të thjeshta, Meta prej javësh kërcënon dhe ofendon gazetarët që po bëjnë këtë investigim duke shpresuar në këtë mënyrë t’i bëjë të heshtin. Pas Mero Baze dhe Adriatik Doci në shënjestër të Presidentit përfundova dhe unë e bashkëshortja ime, Alba Malltezi. Meta më etiketoi “Malavita” siç bën Sali Berisha që për këtë është edhe dënuar si “shpifës” nga një gjykatë. Ilir Meta kopjon Sali Berishën në metodën e tij kundër cilitdo e kritikon, gjë që konfirmon se ftesa e tij për t’u sjellë “me qetësi dhe dashuri” vlente vetëm kur punët i shkonin mirë pasi ishte në pushtet, por tani që familja e tij është në opozitë, Presidenti ka harruar edhe qetësinë, edhe dashurinë. 

Sulmin ndaj meje dhe bashkëshortes sime e ka artikuluar në formën e 10 pyetjeve që në vetvete janë thjesht shpifje. Një metodë pa fantazi që para meje e kishte eskperimentuar me ambasadorin e BE Luigi Soreca, e pas meje me drejtorin e informacionit në kryeministri, Endri Fuga. Pra Ilir Meta u bën pyetje të gjithëve, vetem ai nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Por ndryshe nga Meta unë nuk kam asnjë problem t’u përgjigjem, jo vetëm se në 41 vite profesioni im është ai i gazetarit të respektuar duke filluar nga vendi ku kam lindur, por edhe sepse, kur nuk ke asgjë për të fshehur është më e thjeshtë të përgjigjesh. Kështu do t’i përgjigjem këtyre 10 pyetjeve: Dy të parat m’u bënë në 2018 nga Alfred Peza dhe me këtë rast përfitoj t’i përgjigjem edhe atij. Tetë të tjerat janë të gjitha shpifje dhe sulme të shpikura mbrëmë nga Ilir Meta, edhe pse pabesueshmërisht sot ai gënjen edhe për këtë, duke treguar një aftësi të rrallë për të gënjyer edhe përballë fakteve. 

Ja përgjigjet e mia, duke shpresuar që qehajajtë e tij mediatikë të kenë kurajon t’i publikojnë siç publikuan me gëzim pyetjet e Presidentit:

1) A është bashkëshortja juaj A.M, ortake në “FFM Group”, një shoqëri e krijuar më 2011 me ortake edhe E.D si dhe një kompani italiane e quajtur “Superba S.R.L” me seli në Napoli?

Po, bashkëshortja ime Alba Malltezi është aksionere e FFM Group siç është publikisht e njohur prej 9 vitesh. Ndërsa shoqëria Superba srl, shoqëri prestigjoze dhe pjesëtare e një grupi të rëndësishëm industrial italian, tashmë prej më shumë se 1 vit nuk është aksionere e FFM Group.

2)A ka qenë kjo e fundit nën hetim nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash në zonat offshore?

Kjo është shpifja e parë në mes të shumë shpifjesh që Ilir Meta ka kopjuar online (ashtu siç kishte bërë Peza) duke lexuar mediat “investigative” të Sali Berishës të cilat dy apo tre vjet më parë shkruajtën këtë histori, sigurisht e shpikur e gjitha si qindra të tjera. Pra, shoqëria Superba srl nuk është hetuar asnjëherë as në Itali dhe as në Shqipëri. Në çdo rast unë përgjigjem vetëm për sjelljet e mia dhe të familjes sime: asnjë prej nesh, ndryshe nga shumë oligarkë që financojnë familjen Berisha dhe mediat e Ilir Metës, nuk kemi pasur as në imagjinatën më të shfrenuar, asnjë marrëdhënie me shoqëri offshore, as nuk kemi pasur ndonjë hetim apo akuzë për asnjë lloj krimi. Në mbështetje të kësaj mund të dëshmojë edhe ish Presidenti Bujar Nishani që më dha nënshtetësinë shqiptare, që ndryshe nga rrugët e privilegjuara të Ilir Metës për vrasës dhe hajdutë, ndoqi me mua procedurë normale që zgjati rreth një vit e gjysëm dhe që përfshiu të gjitha kontrollet e duhura të sigurisë, pikërisht ata qe ka shmangur Meta për klientët e tij.

3)Sa kompani ke hapur në emër të punonjësve dhe administratorëve të tu, a janë përfshirë ato në pastrim parash dhe në skema guackë të përfitimit joligjor të fondeve publike?

Edhe këtu Ilir Meta gënjen në mënyrë flagrante.Jo vetëm që nuk kam asnjë kompani “guackë” e hapur në mënyrë fiktive në emër të vartësve të mi apo miqve, por asnjë nga kompanitë e mia nuk ka përfituar fonde publike dhe as që mund të shkohet nëpërmend të jetë përfshirë në asnjë aktivitet pastrimi parash duke mos qenë as i pasur, dhe duke mos pasur as para të pista për të pastruar. Edhe këtë herë Ilir Meta sheh tek të tjerët gjëra që ka bërë vetë ose ka parë të bëjnë njerëzit e tij.

4)Sa tendera publikë ke fituar nga Rilindja? Sa është vlera e tyre?

Zero tendera publikë. Nuk kam marrë pjesë në asnjë garë.Tjetër shpifje.

5)A ke përfituar prona me 1 euro/m2 dhe nga kush?

Nuk kam përfituar asnjë pronë as me 1 euro as me 1000 euro. Kam aplikuar në një konkurs publik si shumica e mediave shqiptare për të marrë ME QIRA një godinë shtetërore të braktisur, që ishte kaq e amortizuar dhe e vjetër që pastaj tërmeti e ka shembur përfundimisht dhe unë tani duhet ta rindërtoj me fondet e mia edhe pse prona mbetet shtetërore. Toka mbi të cilën është ndërtuar NUK KA PRONARE tjetër përveç Shtetit. Në konkursin publik kam marrë pjesë unë dhe një biznes tjetër që kishte ngatërruar pronën dhe për këtë arsye u skualifikua. Nga momenti që investimi i nevojshëm plotësonte kriteret ligjiore, kam perfituar vëtëm nga kontratën "1 euro" sipas ligjit të votuar nga PD dhe LSI, si e kanë përfituar shumë biznese të tjera.Përkundër këtij avantazhi Shteti më detyron të investoj ne ndertim një shumë të caktuar nga ligji dhe të marr në punë një numër të caktuar punonjësish. Unë nuk jam pronar as i tokës as i godinës se re që do të ndërtoj, por vetëm qiramarrës. Pas shume vitesh nëse do të plotësoj kriteret e paracaktuar nga ligji, kam të drejtë të konkuroj për të privatizuar objektin: nëse do të fitoj, duhet ti paguaj Shtetit jo vetëm godinën që kam ndërtuar unë, por edhe tokën sipas vlerës së tregut. Nëse nuk do e privatizoj, në fund të kontratës së qirasë objekti që e kam ndertuar me kursimet e mia, do ta marrë Shteti. Kaq. Ku qëndron skandali sipas Presidentit? Sepse kam zbatuar dhe respektuar pikë për pikë ligjet e Shtetit shqiptar qe vete ai ka votuar?

 6)A paguhen të gjithë punonjësit e tu edhe në të zezë për t'ju shmangur detyrimeve financiare në shtet?

Kjo është një tjeter shpifje që Ilir Meta është më mirë ta faktojë. Siç shumë shpejt do të vërtetohet me prova, janë pikërisht mediat që mbeshtesin Ilir Metën dhe Partinë Demokratike që i paguajnë punonjësit në të zezë. Media që çdo ditë flasin për moral dhe i bejnë furça Metës, Bashës apo Berishës në të cilat shumica e gazetarëve marrin rrogën e një pastrueseje. Sapo skandali do të përhapet, me dokumenta dhe jo me llafe interneti, do ta shikojme si do të reagojë Presidenti i Republikës dhe nga cila anë do të rrjeshtohet! Apo evazioni tatimor nuk është krim?

7)Sa bordero përdorin kompanitë e tua?

Lexo pyetjen dhe përgjigjen 6

8)Sa gazetarë përfituan ndihmë ekonomike gjatë karantinës dhe sa prej tyre i ke shkarkuar për të mos jua dhënë atë?

Kjo është një pyetje që më qesharake dhe pa lidhje nuk ka, është vështirë edhe për t’u përgjigjur. Pra sipas Presidentit tonë të Republikës unë nga një ana kam paguar punonjës duke përfituar ndihmën ekonomike nga shteti gjate karantinës, nga ana tjetër i kam shkarkuar njerëzit nga puna kështu që ata nuk e përfitojnë ndihmën ekonomike? Vërtetë për të qeshur. Presidenti Meta as nuk i njeh ligjet që ai vetë ka dekretuar: sipas ligjit ndihma  ekonomike u rezervua vetëm për njerëzit që kanë humbur vendin e punës për shak të karantinës, kështu që pjesa e parë e pyetjes dhe e dyta janë në kontradiktë me njëra-tjetrën. Ndryshe është e vërteta: asnjë punonjësi im nuk ka përfituar asnjë ndihmë ekonomike deri në momentin që ka qëndruar në punë, por unë nuk kam kërkuar ndihmë ekonomike as për ata punonjës që kanë dhënë dorëheqje vullnetarisht në kohën e pandemisë duke menduar që mund të përfitojne ca lekë nga Shteti pa punuar! Pra jam përpjekur të mbroj fondet e shtetit qe të shkojnë vërtetë te ata njerëz që kanë mbetur papunë dhe jo me vendimin e tyre. Disa nga këta mashtrues të vegjël më kanë kundërshtuar dhe me sa duket janë ankuar te Presidenti, i cili ka treguar që mashtrues dhe trafikantët i ka për zemër t’i mbrojë, ndërsa njerëzit e ndershëm i sulmon.

9)Çfarë konflikti ke krijuar së fundmi me katër ish-gazetarë të tu dhe a je në proces gjyqësor me ta?

 Përgjigja e parë do të ishte: Po Presidentit të Republikës çfare i intereson konflikti mes një ndërmarrje private dhe vartësve të tij? Ose mendon se nuk është kryetar shteti, por kryetar i kooperativës në të cilën duhet të raportohen problemet mes kooperativistëve? Por duke qenë se jam zotëri dhe çështja mesa duket i intereson Metës që ka lajmëruar se dëshiron të krijojë një (tjetër) media në pronësinë e tij, po përgjigjem duke e siguruar (siç mund të dëshmojnë mijëra persona që në 30 vite në Shqipëri janë alternuar duke punuar në mediat e mia) që unë nuk pushoj kurrë nga puna, por punësoj, dhe se lufta ime e vërtetë është të mbaj në punë kolegët dhe jo t’i largoj. Të paktën ata që janë seriozë dhe profesionistë. Thënë kjo duhet të pranoj: a) është e vërtetë që kam larguar një punonjës, i cili duke përfituar nga besimi im detyronte një furnizues të paguante bakshish b) Është e vërtët, kam larguar një gazetar pasi zbulova se merrte rrogën tek unë, por punonte për mediat e tjera konkurrente c) është e vërtetë që kam larguar disa punonjës (dy ose tre në 4 vitet e fundit) për dembelizëm dhe paaftësi të parekuperueshme ose për mosrespektim të kushteve elementare të higjenës gjatë periudhës së pandemisë. Nuk di nëse kjo përgjige është e mjaftueshme për Presidentin apo dëshiron edhe emrat dhe detaje të tjera?

10)Kush po të detyron të inskenosh sulme edhe kundër Arqipeshkëvit të Tiranës dhe Durrësit Imzot George Frendo, të cilësuar prej mediave të tua si "kërcënim për sigurinë kombëtare"?

Pyetja e fundit në të vërtetë është një shpifje e ulët sepse kurrë mediat e mia nuk kanë akuzuar Arqipeshkëvit të Tiranës dhe Durrësit Imzot George Frendo si "kërcënim për sigurinë kombëtare". Megjithatë një përgjigje dua ta jap pasi këtu është e vërtetë që ka një fajtor: Dhe ky fajtor është Presidenti Ilir Meta që ka vendosur t’ja japë nënshtetësinë arqipeshkvit George Frendo apo intelektualëve të ndershëm si Kim Mehmeti apo të tjerë, me meritë te padiskutueshme për këtë privilegj, me të njëjtin prioritet që ua ka dhënë dhe futbollistëve mashtrues, vrasësve dhe të korruptuarve duke i konsideruar të gjithë bashkë “asete dhe vlera kombëtare”.

Një president Republike që nuk di të dallojë një Arqipeshkv nga një vrasës i tre fëmijëve, nuk e meriton atë detyrë institucionale.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Të shtëna me armë zjarri në Vlorë, arrestohet autori me pistoletë në dorë
Të shtënat me armë zjarri në Vlorë, policia njoftim zyrtar: 26 vjeçari qëlloi me pistoletë në ajër, shoqërohet edhe shoku i tij (EMRI) »
Article Logic
Execution time: 0.015323162078857
array(1) { ["section"]=> string(120) "bollino-i-pergjigjet-10-pyetjeve-te-metes-dhe-e-akuzon-ti-fsheh-vrases-femijesh-mes-intelektualesh-e-arqipeshkesh-225121" }