Një ngjarje e rëndë ka tronditur rajonin e Saharasë. Autoritetet lokale në Niger njoftuan se 49 shtetas nigerianë kanë vdekur nga etja pasi kamioni që i transportonte u prish në një zonë të izoluar, rreth 80 kilometra në perëndim të Assamakës. Ata po ktheheshin nga Mali për të festuar Bajramin me familjet e tyre.
Guvernatori i Agadezit deklaroi se udhëtarët mbetën të bllokuar pa ujë, në temperatura ekstreme dhe pa mundësi për furnizim. Viktimat u varrosën në një varr masiv, ndërsa vetëm dy persona arritën të mbijetojnë duke ecur mbi 50 kilometra deri në Assamaka, ku njoftuan autoritetet.
Kjo zonë është e njohur për migrantët afrikanë që përpiqen të kalojnë drejt Evropës dhe shpesh është skenë tragjedish të ngjashme. Vetëm vitin e kaluar, sipas OJQ-së Alarme Phone Sahara, të paktën 35 migrantë humbën jetën në shkretëtirën e Nigerit. Ngjarje të tilla janë regjistruar edhe më herët, si në vitin 2013 kur 93 migrantë vdiqën nga etja pranë kufirit me Algjerinë.
