Gjatë ditës së sotme Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako i shoqëruar nga Zvdrejtori i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Rebani Jaupi priti në një takim një delegacion të lartë britanik të kryesuar nga Ministri i Shtetit për Sigurinë Ben Wallace, si dhe Ambasadori Britanik në Shqipëri Duncan Norman.
Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e ndërsjelltë dhe të vazhdueshëm mes dy Policive luftën kundër krimit të organizuar, kundër krimit financiar dhe atij kibernetik etj.
“Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të mbështesë dhe të forcojë bashkëpunimin me Policinë Shqiptare. Do të dërgojë ekspertë për të mbështetur Policinë Shqiptare në luftë kundër grupeve kriminale. Shkëmbimi në kohë reale i informacionit mbi grupet kriminale është një tjetër tregues i bashkëpunimit mjaft pozitiv mes dy Policive”, tha Wallace.
Nga ana tjetër, Çako tha: “Policia e Shtetit është fokusuar në luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, pastrimit të parave, krimit kibernetik, sekuestrimin e aseteve kriminale të grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit, kundër terrorizmit dhe radikalizmit”.
Policia e Shtetit sipas tij, e vlerëson si mjaft efikase mbështetjen e dhënë nga Mbretëria e Bashkuar dhe është e gatshme të ofrojë çdo mundësi e formë bashkëpunimi për të përmbushur prioritetet e përbashkëta mes dy Policive.