Andi Bushati nëpërmjet një analize për çështjen më të përfolur të momentit, atë të Becchettit të Agon Channel ka sulmuar emisionin “Kontrata” të drejtuar nga Sonila Meço. Sipas Bushatit, mjafton të shohësh këtë emision për të kuptuar se kush është Francesco Becchetti. Analisti Bushati e cilëson emisionin e Sonila Meços si një “ngjarje të shpifur gazetareske” ndërsa shton se kjo është një “lëpirje e shëmtuar përballë një pronari bos” .
“Francesco Becchetti nuk është një shenjt. Aq më pak një bamirës. Nëse çdo njeri kurioz kërkon të informohet për të, mjafton të kërkojë në You Toube, emisionin kontrata të Sonila Meços. Nuk ka ngjarje më të shpifur gazetareske. Nuk ka lëpirje më të shëmtuar përballë një pronari bos, të cilit i sillen në studio njerzit të cilve u ka paguar kurimin e fëmijëve për të treguar sesa human dhe zemërgjerë është. Mjafton të shihen këto pamje që të ngjallin krupën për të kuptuar profilin e një njeriu, raportin e tij me mediat dhe gazetarët e mbi të gjitha konceptin e tij për imazhin e njeriut të pasur që i ngjan më shumë atij të personazheve të Francis Ford Coppola-s”, shkruan Bushati ndër të tjera.
Megjithatë sipas Bushatit “Edhe duke mos qenë dakord me televizionin që bën Francesco Becchetti, më mënyrës si i trajton gazetarët, më mënyrën si do të bëjë biznes në Kalivaç, se si përdor çarterin apo jahtin e tij privat, sa shpenzon për Nikol Kidmanin apo Adi Krastën, ne skemi të drejtën që për hir të dyshimeve tona ta shndërrojmë atë në simbolin e mungesës së lirisë dhe të drejtave të investitorëve të huaj në shqipëri. Kjo do të qe një gafë e parikuperueshme, madje shumë më e madhe se lulëzimi i modeleve të biznesmenëve si Francesco Becchetti në këtë vend”, përfundon analisti .