Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, ku janë vlerësuar marrëdhëniet e mira midis policive të dy vendeve, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe kontrollit të emigracionit ilegal.
Në takim, ambasadori britanik ka vlerësuar idenë e ngritjes së Byrosë së Hetimit, por sipas tij duhen kaluar pengas ligjore në mënyrë që Britania të ndihmojë me asistencë Shqipërinë në këtë proces.
“Ju duhet që ta ngrini atë duke kapërcyer pengesat ligjore që t’ju ndihmojmë me asistencë. Ne besojmë se ngritja e Byrosë së Hetimit do t’i japë një shtysë luftës kundër korrrupsionit” ka thënë ambasadori.
Drejtori i Policisë së Shtetit u shpreh se po punohet për të gjetur një zgjidhje ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi kapitullin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Ligjin e Policisë, duke i mbetur bindjes për të ngritur këtë strukturë sipas modeleve më të mira të partnerëve.
Dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin në sektorin e energjisë. Çako është shprehur se Policia Shqiptare është në një proces ristrukturimi dhe po i kushtohet vëmendje luftës anti- terror, duke ngritur një Drejtori të posaçme.
Ambasadori Cannon ka vlerësuar ngritjen e strukturave antiterror dhe ka theksuar faktin se ristrutkrurimi nuk duhet të mbetet në një institucion të vetëm , por është kompleks dhe përfshin një sërë hallkash që duhet të funksionojnë bashkë, si Polici, Prokurori e Gjykatë. Ai ka theksuar gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar eksperiencë dhe ekspetizë për antiterrorizmin.