Ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg, ka thënë se vendet e BE janë të gatshëm për të reflektuar për reformimin e unionit, por kjo sipas tij nuk duhet të vonojë fillimin e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Schallenberg, ka thënë se shpresa e shumë liderëve europianë është që BE në mars ose prill të 2020, të japë dritën jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ne duam të sigurohemi që vitin tjetër në mars ose prill, të ketë një dritë jeshile nga krerët e BE për Tiranën dhe Shkupin’’, shpjegoi Schallenberg duke shpresuar se Brukseli do të zhvillojë një metodë të re për ecjen përpara të reformave në këto vende.
“Procesi i zgjerimit është mjeti më i mirë që ne kemi për integrimin e Ballkanit Perëndimor, dhe duke hequr dorë vullnetarisht do të ishte e paarsyeshme”, përfundoi ai.