Mbrëmjen e djeshme skena e Eurovizionit u ndez gjatë performancave të 23 shteteve të para konkuruese, ku mes tyre ishte edhe Eugent Bushpepa, përfaqësuesi i Shqipërisë.
Por diçka e çuditshme ka ndodhur në televizionin kinez Hunan Tv, kur gjatë prezantimit të këngës “Mall” të Bushpepës transmetimi është ndërprerë.
Performanca e këngëtarit shqiptar nuk është transmetuar në Kinë për shkak të një ligji, i cili ka hyrë në fuqi kohët e fundit, ku ndalohen automatikisht ndjekja në ekran e artistëve me tatuazhe. Prania e tyre në trupin e Bushpepës, duket se e ka penalizuar performancën e tij për shtetasit kinezë.
Ndërkohë që mësohet se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ryan O’Shaughnessy nga Irlanda, i cili gjatë performancës ka shpalosur simbole të komunitetit LGBTI.
Gjithsesi vlen për t’u kujtuar se kënga “Mall” ka elektrizuar të gjithë të pranishmit të cilët nuk i kanë ndaluar duartrokitjet për asnjë moment të vetëm.