Pas shumë reagimesh lidhur me refuzimin e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm ka reaguar Presidenti Ilir Meta.
"Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim", shkruan Meta.
Pak më herët kryeministri Edi Rama e quajti antikushtetues dhe të turpshëm vendimin e Metës, ndërsa argumentet e tij të frikshme.
"Refuzimi i Presidentit për dekretimin e Ministrit të ri për Europën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm. Argumentat e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp", u shpreh Rama.
Meta në letrën e tij drejtuar Ramës argumentonte arsyet e mosdekretimit të Cakajt, duke theksuar se nuk ka përvojën e duhur si dhe i cilësoi të papranueshme deklaratat e këtij të fundit për shkëmbimin e territoreve të Kosovës.