Michael Kane, punonjës pranë Ambasadës britanike në Tiranë, pas zyrtarizimit me martesë gjatë ditës së djeshme me të dashurin e tij prej tri dekdash Donald Holder ka rrëfyer se si lindi dashuria mes tyre në Zelandën e Re. Kjo ishte martesa e parë e një çifti gay që u celebrua zyrtarisht në vendin tonë.
“Unë dhe Donaldi jemi takuar në Zelandën e Re në vitin 1986. Në atë kohë unë punoja si bankier dhe ai ishte zëvendëskonsull. Pasi u njohëm, filluam të shoqëroheshim e më pas lidhja ndoqi rrjedhën e saj”, është shprehur ai për gazetën “Panorama”.
Michael tregon se çifti ka menduar të birësojë edhe një fëmijë dhe thekson se në familjet e tyre kanë plot nipër dhe mbesa, dhe të dy kanë një rol të rëndësishëm në edukimin e familjarëve të tyre.
I pyetur nëse është përballur me qëndrime homophobe në Shqipëri ai thotë: “Nuk kam ndeshur ndonjë rast homofobie gjatë këtyre dy viteve që jetoj në Shqipëri dhe askush nuk ka ndryshuar sjellje ndaj meje për shkak të seksualitetit tim. Që momentin kur kemi shpallur martesën tonë, kemi marrë urime nga shumë miq, kolegë dhe kontakte shqiptare. Madje edhe fqinjët në lagjen ku jetojmë në Tiranë, na kanë uruar për martesën”, tregon Michael.