Ervin Dalipaj, ish-shefi i krimit ekonomik i ekzekutuar me armë zjarri para pak minutash në një makinë tip "Audi" në autostradën Tiranë-Durrës është nje emër i lakuar në ngjarjet kriminale të viteve të fundit.
Ish-shefi i Krimit Ekonomik në Tiranë dhe shefi i krimeve në komisariatin numër 4 u bë i njohur për mediat fillimisht në vitin 2013 dhe më pas me një ngjarje tjetër të rëndë, në vitin 2016.
Ngjarja e parë
Në vitin 2013 Dalipaj është personi i cili i vuri prangat babait të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, nën akuzën e kontrabandës së medikamenteve.
Bashkim Tahiri, së bashku me dy persona të tjerë, u arrestua më 25 mars, në kohën kur Ervin Dalipaj ishte shef i Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Ai ishte personi që mori në dorë këtë çeshtje dhe pas hetimeve arriti të arrestonte Bashkim Tahirin, ndonëse ky i fundit pak javë më vonë u lirua nga të gjitha akuzat.
Ngjarja e dytë
Dalipaj ka qenë oficer policie në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe shef i Seksionit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ai ishte përjashtuar nga radhët e uniformave blu në 1 dhjetor 2013, me motivacionin për “dekonspirim të operacionit për lojërat e fatit”.
Ngjarja e tretë
Ish-efektivi i Policisë, Ervin Dalipaj ishte shpallur në kërkim si bashkautor i vrasjes së Gazmend Çollakut.
Më 29 janar 2016 ai shpallet në kërkim me shkresën numër 830, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda cakton masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndaj tij rëndojnë veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng të personit”, e kryer në bashkëpunim dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Sipas burimeve të policisë, në vrasjen e tij ishte përfshirë edhe ish-shefi i krimit Ekonomik, Ervin Dalipaj, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arresti. Çollaku u rrëmbye në mes të Durrësit dhe u vra në afërsi të një fshati në Krujë.