Çipa: Sigurimet e gazetarëve të papaguara. Koka: Mua më pushuan nga puna. Hoxha: Në TVSH punësohesh me teserë partie

Publikuar tek: aktualitet, më 16:54 20-11-2015 Çipa: Sigurimet e gazetarëve të papaguara. Koka: Mua më pushuan nga puna. Hoxha: Në TVSH punësohesh me teserë partie Ne Foto nga e majta ne te djathte Aleksander Cipa, Ilir Aliaj, Ilva Tare e Gjergji Erebara

Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë tha sot gjatë takimit të Forumit të Medias organizuar nga OSBE, se kontributet e sigurimeve shoqërore të gazetarëve për një kohë të gjatë nuk janë paguar.  

Shqetësimin Çipa e ngriti në prani të ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, duke i kërkuar diplomatit që të mbështesë përpjekjet e gazetarëve për këtë fenomen.

“Kemi kërkuar një informacion të plotë pranë institucionit të sigurimeve shoqërore për listën e gazetarëve të cilët në fakt në krah të emrit nuk kanë funksionin e tyre si “gazetar” por si “punonjës mediash”, por që nga ana e këtij institucioni, nuk jepen të dhëna. Dhe ky është një problem shqetësues, që ka të bëjë me pensionet e gjithsecilit prej nesh dhe viteve të punës që kanë humur” tha Çipa.

media1

Analisti Lufti Dervishi duke folur për rastin tha se kjo nuk mund të zgjidhet në mënyrë kolektive për gazetarët, por në mënyrë individuale. Sipas tij, secili prej gazetarëve duhet ta zgjidhë këtë çështje me gjykatë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë këtë kërkesë do ta paraqesë edhe javën e ardhshme në komisionin parlamentar të medias, për të kërkuar ndihmën e këtij komisioni për të marrë më shumë informacion.

Në aktivitetin e sotëm organizuar nga OSBE, u fol edhe për vetëçensurën e gazetarëve apo informacione që nuk i publikojnë sepse pronarët e tyre nuk duan. Pak më vonë pas kësaj, Lutfi Dervishi, pedagog dhe analist në media pranon dhe thotë se të gjithë gazetarët që nuk i publikojnë dot investigimet e tyre, kanë një derë të hapur për të publikuar lajmet, dhe kjo është agjencia Birn.

Një tjetër denoncim që ndodhi sot në tryezën e medias ishte ajo e ish-gazetarit të kronikës së zezë në News24, Spartak Koka. Ky i fundit pretendoi se është pushuar nga puna në 25 tetor (pra muajin e kaluar) për mosbindje urdhërash, duke sqaruar se largimi i tij në fakt kishte të bënte me informacionet që po jepte për hetimet e serverit të tatimeve. “Nuk do të rri pa punë, se kam oferta të tjera, por kjo është mënyra sesi largohen gazetarët nga puna” tha Koka përballë panelistëve dhe gazetarëve të tjerë që merrnin pjesë në këtë debat.

Një tjetër akuzë pa dorashka erdhi nga Artan Hoxha, gazetari investigativ në News24 dhe drejtues i emisionit “Xhungël” po në të njëjtin televizion. Hoxha tha se për të filluar punë gazetar apo çdo lloj punonjësi në Televizionin Publik Shqiptar, duhet të kesh në dorë teserën e LSI dhe pastaj të pranohesh në institucion.

Ilva Tare, moderatore e këtij paneli tha se të gjitha vërejtjet dhe diskutimet do të mbahen në konsideratë nga organizatorët, për çështjen e situatës në media. 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.006864070892334
array(1) { ["section"]=> string(117) "cipa-sigurimet-e-gazetareve-te-papaguara-koka-mua-me-pushuan-nga-puna-hoxha-ne-tvsh-punesohesh-me-tesere-parti;-25906" }