Replikat në distancë mes trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Gianni de Biasi dhe lojtarit shqiptar të Interit, Rey Manaj nuk tërhoqën vetëm vëmendjen e mediave shqiptare, por edhe atyre italiane, e megjithatë debati mes tyre duket se ka marrë fund.
Ka qenë Manaj fillimisht ai që i ka kërkuar falje De Biasit për këtë “keqkuptim”, ndërsa tekniku italian është shprehur më pas se dera për talentin shqiptar do jetë gjithnjë e hapur.
Gjatë një interviste për “FcInterNews”, De Biasi tha se prania e Manajt në Europian më Shqipërinë do të varet nga ajo që ai do të tregojë në fushën e lojës me Interin.
Mister, mund të na sqaroni këtë në lidhje me këtë keqkuptim?
Sinqerisht besoj se djali është keqkuptuar, ndoshta e ka kuptuar keq atë çfarë i kanë thënë. Më ka dërguar vetëm një mesazh, dhe pse zakonisht ja dërgon Paolo-s, por ku është një gjë natyrore dhe pozitive.Kjo nuk tregon gjë tjetër veçse dëhsirën e madhe të Reit për të qenë pjesë e këtij grupi. Sigurisht ka shumë rëndësi ajo çfarë tregon në fushë, por ne jemi duke e ndjekur dhe jemi të vetëdijshëm për cilësitë e tij të mëdha.
Tani që lojtari u tërhoq, jeni i lumtur?
Sigurisht, më bëhet qefi që më kërkoi falje, edhe pse nuk ishte e nevojshme. Ai tregoi maturi dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë. jemi këtu për ta përkrahur.
A ka mundësi që të jetë në Europian?
Siç ua thashë, kjo varet nga fusha. Dyert për të janë gjithnjë të hapura.