Debati i përhapur kohët e fundit për fushatën sensibilizuese të LGBT në shkolla dhe gjimnaze, ka prekur edhe autoritetet fetare.
Kësaj here ka qenë imami i Shkodrës, Muhamed Syrtari, i cili gjatë fjalës së mbajtur ditën e sotme në xhami, është shprehur kundër martesave brenda të njëjtit seks.
Ai ka shtuar se kjo çështje nuk duhet pranuar për asgjë në botë, ndërsa ka pranuar të konsiderohet radikal për sa kohë që mbron vlerat e familjes.
Sakaq ai ka nënkuptuar që ka dalë kështu kundër fjalës së ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili bëri thirrje për më shumë respekt mbi këtë kategorizim të shoqërisë.
“Po ndjekim me shqetësim të madh dhe vëmendje tendencën për devijimin e familjes, martesën me të njëjtën gjini. Nuk duhet pranuar për asgjë në botë. Ata kanë mbështetjen e shejtanit për të ulur vlerat e njerëzimit. Të punojmë për vlerat e besimit dhe tabanit kombëtar. E kemi për nder të quhemi radikalë nëse ruajmë vlerat e familjes, moralit, harmonisë e më gjerë,” tha imami Syrtari në xhami.