Pas debateve të ashpra politike të ditëve të fundit të cilat u zhvendosën sot në Parlament, OSBE është shprehur se e ka ndjekur me zhgënjim përkeqësimin e debatit politik gjatë këtyre ditëve.
“U bëjmë thirrje të gjithë politikanëve të frenojnë gjuhën dhe veprimet ndezëse dhe të lejojnë institucionet e vendit të funksionojnë në interesin më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e OSBE.
Debatet kulmuan ditën e sotme në Parlament, pas akuzave nga të dyja kampet kryesore politike lidhur me çështjen e bujshme të atentatit të dyshuar për të vrarë dy deputetët e Parlamentit Shqiptar, Tom Doshin dhe Mhill Fufin. Të pranishmit e OSBE dhe Ambasadave, janë larguar nga Parlamenti në momentin kur debatet ishin në kulmin e tyre, dhe foltorja u bllokua nga deputetët e PD.