Dëbimi i diplomatëve, reagon Ministria e Jashtme ruse: Fushatë antiruse e nisur nga Londra

Publikuar tek: bota, më 18:11 26-03-2018 Dëbimi i diplomatëve, reagon Ministria e Jashtme ruse: Fushatë antiruse e nisur nga Londra

Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar pas dëbimit masiv të diplomatëve të saj nga dhjetra shtete europiane, ndër to edhe Shqipëria.

MJP ruse thotë se kjo fushatë antiruse ka nisur nga Londra, ku u helmua një ish spiun rus, por edhe pse sipas tyre, nuk ka patur asnjë fakt që vërteton të ketë dorë Kremlini.

Reagim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë:

"Na krijon keqardhje deklarata për incidentin kimik në Salisbury e miratuar më 22 mars gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian. Formulimi i përdorur nga BE-ja, i cili ia hedh Rusisë përgjegjësinë e ngjarjes vetëm për arsye se “nuk ka asnjë shpjegim tjetër të besueshëm”, përbën në thelb një akuzë të pathemeltë kundër vendit tonë. Gatishmëria e Këshillit Evropian për të rënë dakord me interpretimin britanik të incidentit në Salisbury mund të shpjegohet vetëm me dëshirën për të mbështetur Kryeministren e Britanisë së Madhe Theresa May, e cila u gjend në një situatë të vështirë. Njëkohësisht vëme re që në këtë interpretim të ngjarjeve çdo ditë shfaqen gjithnjë e më shumë mospërputhje: që nga shpejtësia e paparë e identifikimit nga britanikët të “origjinës ruse” të toksinave që janë gjetur në vendin e atentatit ndaj Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij, deri tek faktet e zbuluara nga mediat lidhur me presionin, i cili ushtrohet nga autoritetet britanike mbi stafin e laboratorit kimik në Porton Doën.

Ende nuk kemi marrë asnjë argument të palës britanike, i cili do të na detyronte, siç na sugjeron Këshilli Evropian, “të japim përgjigje” për sa u përket ngjarjeve tragjike në Salisbury. Jemi plotësisht të gatshëm të punojmë bashkë me anglezët, megjithatë pala britanike po i shmanget bashkëpunimit. Shkëmbimin e mëtejshëm të mendimeve besojmë se mund të vazhdojmë në kuadër të organizatës kompetente ndërkombëtare që është Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK). Besojmë se liderët e BE-së, po të kishin sinqerisht dëshirë për të ndihmuar investigimin, duhet t’i nxisnin partnerët e tyre britanikë që të nisin konsultime konstruktive me palën ruse sipas procedurave të ONAK-ut të aplikueshme në raste të tilla. Aq më tepër që mbështetja e dialogut dhe bashkëpunimit në funksion të forcimit të instrumenteve ndërkombëtare në fushën e mospërhapjes, përfshirë këtu edhe Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike, është e parashikuar drejtpërdrejt jo vetëm në Strategjinë Globale të BE-së të vitit 2016, por edhe në “hartën e rrugës” të vitit 2005 për hapësirën e përbashkët të sigurisë së jashtme Rusi-BE.

Është për të ardhur keq që në vend të kësaj Bashkimi Evropian preferoi t’i bashkohej një tjetër fushate antiruse të nisur nga Londra dhe aleatët e saj përtej oqeanit me një qëllim të qartë për të krijuar edhe një pengesë më shumë në rrugën drejt normalizimit të situatës në kontinentin evropian".

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ambasada ruse në SHBA hap sondazh në Twitter: Cilën konsullatë amerikane të mbyllim?
Këto janë të gjitha shtetet që po dëbojnë diplomatë rusë »
Article Logic
Execution time: 0.009829044342041
array(1) { ["section"]=> string(95) "debimi-i-diplomateve-reagon-ministria-e-jashtme-ruse-fushate-antiruse-e-nisur-nga-londra-114616" }