Kandidati për kreun e FSHF-së Bashkim Fino ka reaguar me anë të një statusi në facebook, për deklaratën e sekretarit të përgjithsëm të FSHF-SË lidhur me buxhetin.
Fino është shprehur se Ilir Shulku tentoi të manipulojë opinionin publik me deklaratat e tij. Sakaq, ka akuzuar dhe kundërshtarin e tij, duke publikuar disa fatura që sipas Finos, Armando Duka i ka shpenzuar për luks.
Reagimi i plotë i Bashklim Finos:
REAGIM
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, tentoi të manipulojë për herë të dytë opinionin publik me shifrat dhe abuzimet e FSHF-së. Dëshira për të ndihmuar shefin, ndonjëherë të shtyn edhe në gabime qesharake. Por, për t’i treguar zotit Shulku, ashtu si edhe opinionit publik, shifrat e përmendura nga ana ime janë mëse të vërteta. Aq më tepër, që sekretari i FSHF-së, lexoi diçka në letër, pa treguar asnjë faturë si provë…
- Shulku gënjen kur thotë se 60% të pagesave për kompaninë “VAS TOUR” ka qenë për organizimin dhe akomodimin e “EURO 2016”. Për ta ditur sekretari i FSHF-së dhe opinion publik saktësisht janë si më poshtë:
• Janë paguar 373 milionë lek (të vjetër) për periudhën janar-maj 2016
• Janë paguar 170 milionë lek (të vjetër) për muajin qershor 2016
• Janë paguar 49 milion lek (të vjetër) për muajin korrik
• Janë paguar 392 milionë lek (të vjetër) për periudhën gusht-dhjetor 2016
(Pra, nuk ka lidhje 60% me Euro 2016)
Për t’i shpjeguar më tepër, i ka paguar shoqërisë zvicerane “KUONI” 75 milionë lek në gusht dhe 96 milion lek në mars 2016, për akomodime (para dhe pas Europianit)
- Sa i përket deklaratës së buxheti në vitin 2016 ka qenë 7.1 milionë euro, i kujtoj se të ardhurat gjithëpërfshirëse për vitin kalendarik 2016 janë 32 miliard e 928 milionë e 590 mijë lekë (të vjetër) dhe shpenzimet janë 26 miliard e 40 milionë e 65 mijë lekë (të vjetër) (të marra nga pasqyrat financiare të publikuara nga vetë FSHF)
- Për kompaninë “Top Al”, Shulku thjesht konfirmoi shifrën time, por nëse unë e thashë në Lek, ai e konvertoi në Euro.
- Për shpenzimet e “Tropikal” nuk reagoi aspak
Duke qenë se nuk paska informacionin e duhur dhe duke qenë se ka qenë një mbrojtës në karrierën si futbollit, mendoj se sapo bëri një “autogol” me shifrat.
Gjithsesi, po i zbuloj edhe disa fatura të tjera milionere që Armand Duka ka shpenzuar për luks me paratë e klubeve të futbollit. Që vetë aktorët e futbollit, të kuptojnë se si paratë që vijnë për ta, shkojnë për bileta, akomodime, apo edhe për dreka e darka:
- Në vitin 2015, kompania “VAS TOUR” ka marrë plot 781 milion lek (të vjetër) për bileta avioni dhe akomodim (kujtoj që nuk ka pasur kampionat europian).
- Resorti “Tropikal” ka marrë 172 milionë lek (të vjetër)
- Kompania “PLUS” ka marrë 43 milionë lek (të vjetër)
- “Gustoso” ka marrë 52 milionë lek (të vjetër) për dreka, në vetëm 4 fatura
Harem me paratë dhe djersën e klubeve që investojnë me sakrifica...
Dosjet e abuzimeve janë hapur. Prisni të tjera...