Ish anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste Marko Bello, është shprehur rreth dekriminalizimit të parlamentit se problem qëndron te përpilimi i listave nga kryetari i partisë dhe jo nga partia, siç ndodh në Europë.
“Sipas zëvëndëskryetarit të Komisionit parlamentar gjerman për Çështjet Europiane, Dietmar Nietan, aresyeja e depërtimit të elementëve me të kaluar kriminale në Parlament, duhet kërkuar tek drejtuesit e partive politike që përpilojnë listat e kandidatëve për deputet, jashtë kontrollit të partive të tyre”, shkruan Marko Bello.
Bello shprehet se kohët e fundit nga partitë janë eleminuar zërat kritikë dhe janë humbur cilësitë e një organizmi të gjallë dhe dinamik.
“Në Gjermani, tha Nietan, listat i bën partia, jo kryetari. Mblidhet kongresi ku debatohet dhe ku ballafaqohen kandidatët...Pra ka filtra që nuk lejojnë në asnjë mënyre caktimin e njerëzve të dyshimtë.
Edhe në Shqipëri ka patur filtra të tillë, por gradualisht partitë humbën cilësitë e një organizmi të gjallë dhe dinamik, duke u atrofizuar; eliminuan zërat kritikë, hoqën dorë nga rregullat e lojës dhe ia dorëzuan partinë dhe vendimmarrjen vetëm një individi”, shkruan Bello.
Sipas Bellos, dëmi është pothuajse i parikuperueshëm, për sa kohë do të preferojmë liderë të fortë dhe jo institucione të forta, rezultatet do të jenë katastrofike, shprehet ai.