Nëndrejtoresha e shkarkuar: Mësuesit na denoncuan se u kishim vënë rregulla, nuk zbatonin oraret

Publikuar tek: aktualitet, më 08:44 04-02-2015 Nëndrejtoresha e shkarkuar: Mësuesit na denoncuan se u kishim vënë rregulla, nuk zbatonin oraret Gentiana Hoxhallari

Zgjerohet më shumë rrethi i “konfliktit” në shkollën “Dhora Leka” në kryeqytet. Pas denoncimit të 5 mësuesve në portalin stopkorrupsionit.al, shkarkimit nga ministrja Nikolla të drejtoreshës dhe nëndrejtoreshën, dalin në dritë akuzat dhe kundërakuzat e palëve si dhe inatet personale të tyre.

Gentiana Hoxhallari, nëndrejtoresha tashmë e pezulluar nga detyra shpjegon se gjithçka ka ndodhur pasi kërkonin të ‘’vinin nën fre’’ mësuesit e pabindur me rregullat. “’Dhora Leka’ ka qenë një shkollë problematike, pasi në 10 vite janë shkarkuar 11 drejtues. Dhe kjo për shkak të 2-3 mësuesve që ishin mësuar të bënin çfarë të donin, të mos respektonin rregulloren, të iknin dhe të vinin kur të donin.’’, thotë Hoxhallari.

E gjendur përballë akuzave online të mësuesve, kontrollit të Nikollës në shkollë e më pas pushimit nga puna, tashmë Hoxhallari gjendet edhe përballë presionit të opinionit publik  për t’u zbardhur e vërteta në lidhje me shitjen e librave jashtëshkollorë brenda shkollës.

“Akuza që është bërë për shitje librash në datën 14 maj të vitit të kaluar nuk qëndron, pasi ne disponojmë dokumentacionin e nevojshëm mbi të cilin konfirmojmë se shitja e librave është bërë në vitin 2013, ndërkohë unë dhe drejtoresha, jemi emëruar në 2014. Ne e kemi gjetur shkollën në një gjendje skandaloze. Vendosëm rregullat. Kërkuam që mësuesit të paraqiteshin në punë në 07:45 dhe duhet të largoheshin në 13:45. Nuk lejuam  që të dilnin për kafe. Por, këta mësues ishin mësuar të dilnin dhe të hynin kur të donin. Mësuesit na kanë akuzuar edhe për komunikim jo të mirë, por për këtë është bërë një kontroll nga I cili këto akuza u hodhën poshtë.”, ka thënë Hoxhallari për gazetën “Panorama”, duke shtuar se në inspektimin e saj në shkollë, ministrja Nikolla ka patur vërejtje edhe për gjendjen e bankave të shkollës.

Hoxhallari rrëfen edhe për komunikimet në telefonin e saj celular që ka patur me një nga mësuesit e shkollës, Kristaq Vison, duke thënë se nuk i ka bërë asnjëherë kërcënime.

“Pa kaluar pak minuta nga takimi, ministrja kërkoi që unë të lë mbledhjen. Në fakt gjithë kjo është e pakuptimtë, pasi kam qenë unë ajo që kam marrë kërcënime për shkak të detyrës. Mesazhet I ka prokuroria, le të zbardhen të gjithë. Janë të pavërteta akuzat e ngritura nga mësuesi”, shprehet Hoxhallari.

Shkarkimi i drejtores së shkollës “Dhora Leka”, Mira Brahimi dhe bashkë me të edhe të zëvendësdrejtores së shkollës, janë bërë objekt debati dhe diskutimesh në rrjetet sociale por edhe në radhët e partive politike.

Debatet janë hapur edhe vetë mes specialistëve të Ministrisë së Arsimit, ku jo të gjithë janë dakord me mënyrën dhe procedurën e sidomos në rastin konkret.

Kryeministri Rama, falenderoi me një status në facebook mësuesit e shkollës që denoncuan drejtoren, duke thënë se ky ishte rasti i parë në luftën kundër korrupsionit nga denoncimet online.

Ervin Salianji, koordinator për median në Partinë Demokratike e konsideroi turp, lincimin që vetë kryeministri i ka bërë drejtoreshës së shkollës.

“Linçimi publik që i bën Rama në fcb e vet drejtoreshës së shkollës "Dhora Leka", është i turpshëm,qesharak dhe tregon arsyen pse u bë portali. Portal për gjueti shtrigash. Eshtë e papranueshme dhe shkelje e të drejtave të njeriut prezumimi si i fajshëm, pa hetim dhe pa ndjekur procedurat ligjore. Afati kohor kaq i shkurtër i reagimit tregon që kryeministri e ka për show dhe për presion psikologjik dhe jo seriozisht luftën ndaj korrupsionit. Në rast se do ishim para nje rasti korrupsioni a nuk duhej ndjekur penalisht përveçse të shkarkohej?” thotë kordinatori i PD.

Ndërkaq, reagim ka pasur edhe në rrjetet sociale. Nën moton “denoncim apo spiunim” ka filluar fushata kundër këtyre nismave thjesht për shoë mediatik.

Një profesor i shkollës ka denoncuar drejtoren në portalin e hapur online. Sipas mësuesve, dhe me çpo diskutohet edhe në ministrinë e Arsimit, vetë mësuesi që ka denoncuar është person problematik.

Por Lindita Nikolla shkoi vetë në shkollë në krye të një grupi specialistësh. Vuri re problemet e mëdha në shkollën “Dhora Leka”. Pas këtyre problematikave, po vetë shkarkoi drejtoreshën dhe zëvendësdrejtoreshën. Të dyja mësueset janë vendosur në kohën e qeverisjes së PS.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Policia Ushtarake do arrestojë civilë
Ndërpritet hetimi për serverin e Tatimeve, Beluri: S’kemi pajisje teknologjike »
Article Logic
Execution time: 0.011101961135864
array(1) { ["section"]=> string(63) "denoncim-apo-spiunim-shkarkimi-i-mesueses-shkakton-revolte-2276" }