Presidenti turk Erdogan ka akuzuar Greqinë se forcat e saj kufitare kanë vrarë dy emigrant sirianë.
Ai gjithashtu akuzoi Bashkimin Europian pë mosrespektimin e marrëveshjes me Turqinë, dhe tha se nuk kishte nevojë për 1 miliardë euro të BE-së, pasi tashmë Turqia kishte shpenzuar 40 miliardë dollarë dhe theksoi se Turqia do të gjente para për të vazhduar reformat e saj.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga shteti helen, me zëdhënësin e qeverisë që i mohoi akuzat e Erdogan.
"Asnjë e shtënë nuk u qëllua nga forcat kufitare Greke kundër njerëzve që përpiqeshin të hynin në Greqi në mënyrë të paligjshme. Çdo gjë tjetër është vetëm dezinformim vulgar dhe i qëllimshëm: Lajme të rreme”, shkruante Stelios Petsas në rrjetet sociale.
Por videot që po qarkullojnë në media tregojnë forcat policore greke që dhunojnë refugjatët, ndërsa disa prej tyre i ka arrestuar dhe dënuar me 4 vite burg.
Situata po tensionohet shumë në kufi, ku mbi 15000 emigrantë sirianë dhe afganë po tentojnë të hyjnë në territorin grek, për të lëvizur më vonë drejt vendeve të tjera të BE.